U tha se u bllokua buxheti për komunat, Ministria e Financave mohon atë: Po vazhdojmë alokimin dhe ekzekutimin e tij bazuar në ligj
Më 20 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar buxhetin për vitin 2026 të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Pas shumë sfidave për votim, buxheti rreth 4 miliardë euro u arrit të miratohet. Pavarësisht se buxheti u miratua, kryetari i Komunës së Prizrenit ka thënë më 12 mars se komunat ende nuk…
Lajme
Më 20 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar buxhetin për vitin 2026 të propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Pas shumë sfidave për votim, buxheti rreth 4 miliardë euro u arrit të miratohet.
Pavarësisht se buxheti u miratua, kryetari i Komunës së Prizrenit ka thënë më 12 mars se komunat ende nuk e kanë në dispozion buxhetin për shfrytëzim.
“Dyshohet se Ministria e Financave i ka të ndara në pritje për ekzekutim të pagesave përmbarimore nga buxheti i komunave një vlerë të përafërt rreth 100 milion euro! Kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e Ministrisë do të ketë për pasojë çrregullimin e funksionimit të buxheteve komunale”, ka shkruar Totaj në Facebook.
E në lidhje me këtë, lajmi.net e ka pyetur Ministrinë e Financave të cilët përmes një përgjigje kanë thënë se “pretendimet për “mos-transferim të buxhetit për komunat” nuk pasqyrojnë mënyrën se si funksionon sistemi i ekzekutimit të buxhetit në Republikën e Kosovës”.
Ata kanë thënë se në sistemin e Thesarit nuk realizohen transfere të buxhetit nga Ministria e Financave te Komunat.
“Të gjitha pagesat e organizatave buxhetore, përfshirë komunat, ekzekutohen nga vet organizatat buxhetore nga buxhetet e miratuara te tyre përmes Llogarisë së Vetme të Thesarit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në Ligjin Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Në bazë të Rregullores (MFPT) Nr. 01/2022 për Alokimin e Fondeve dhe Menaxhimin e Rrjedhës së Parasë, organizatat buxhetore janë të obliguara që në fillim të vitit buxhetor të përgatisin dhe dorëzojnë në Thesar planet e shpenzimeve dhe rrjedhën e zotimeve, të cilat shërbejnë si bazë për planifikimin e alokimeve dhe menaxhimin e rrjedhës së parasë gjatë vitit”, ka thënë MF.
Ata kanë treguar se organizatat buxhetore që e kanë përmbushur këtë obligim ligjor, janë duke realizuar pagesat e tyre normalisht përmes sistemit të Thesarit.
“Në rastet kur këto plane nuk janë proceduar në Sistemin e Thesarit sipas kërkesave të rregullores, kjo ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e alokimit dhe të ekzekutimit të pagesave, që është përgjegjësi e vetë organizatës buxhetore përkatëse. Ministria e Financave, përmes Thesarit, është duke vazhduar procesin e alokimit dhe ekzekutimit të buxhetit në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë komunat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për lajmi.net.
Buxheti që është miratuar në Kuvendin e Kosovës është 4 miliardë euro, ndërsa për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro. /Lajmi.net/