U miratuan dy dorëheqje dhe u themelua Paneli Hetimor për një rast disiplinor ndaj një prokurori – KPK jep detaje nga mbledhja e sotme

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka mbajtur takimin e jashtëzakonshëm, i 289-ti me radhë ku janë shqyrtuar çështjet e parapara sipas rendit të ditës. Në këtë mbledhje janë marrë këto vendime: 1. Këshilli miratoi dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Jeton Koca. Në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, KPK do t’i përcjellë…

Lajme

16/03/2026 12:49

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka mbajtur takimin e jashtëzakonshëm, i 289-ti me radhë ku janë shqyrtuar çështjet e parapara sipas rendit të ditës.

Në këtë mbledhje janë marrë këto vendime:

1. Këshilli miratoi dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Jeton Koca. Në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, KPK do t’i përcjellë Presidencës së Republikës së Kosovës propozimin për dekretimin e dorëheqjes së tij nga funksioni i prokurorit.

2. Këshilli miratoi dorëheqjen e anëtares së Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Elza Bajrami- Kastrati, nga pozita e Zëvendëskryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

3. KPK themeloi Panelin Hetimor për shqyrtimin e një rasti disiplinor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në përbërje të këtij paneli, të përzgjedhur përmes shortit, u caktuan: kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Arben Kadriu- kryesues; prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Fatos Ajvazi- anëtar dhe prokurori në Prokurorinë Themelore në Gjilan, z. Arben Ismajli-anëtar. Ndërkaq, si anëtarë rezervë u caktuan: prokurorja në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, znj. Ardita Hyseni dhe prokurorja në Prokurorinë Themelore në Pejë, znj. Sanije Seferi.

4. Kryesuesi i Këshillit, z. Arian Gashi, njoftoi anëtarët e KPK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga dy funksionet që ka ushtruar deri më tani, përkatësisht nga pozita e kryesuesit të Grupi punues për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të sistemit prokurorial për periudhën 2025-2027, si dhe nga pozita e kryesuesit të Komisionit Mbikëqyrës për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, pozita këto vakante, të cilat do të plotësohen në takimet e radhës së KPK-së.