Trump sërish flet për prokurorin Jack Smith: Është i çmendur, po kthehet në Hagë

Presidenti i sapo zgjedhur amerikan, Donald Trump, gjatë një fjalimi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago të martën, shprehu kundërshtimin e tij ndaj asaj që ai e quajti “armatizim të drejtësisë” nga demokratët dhe kritikoi ashpër këshilltarin special amerikan, Jack Smith. Kjo, ndërlidhur me aktakuzat e Smith ndaj Trumpit. “E mposhta Jack Smithin e marrë.…

Lajme

07/01/2025 20:01

Presidenti i sapo zgjedhur amerikan, Donald Trump, gjatë një fjalimi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago të martën, shprehu kundërshtimin e tij ndaj asaj që ai e quajti “armatizim të drejtësisë” nga demokratët dhe kritikoi ashpër këshilltarin special amerikan, Jack Smith.

Kjo, ndërlidhur me aktakuzat e Smith ndaj Trumpit.

“E mposhta Jack Smithin e marrë. Ai është i marrë. Mendoj se ai po kthehet në Hagë. Ne i fituam proceset gjyqësore,” deklaroi Trump, duke cituar CNN.

Trump theksoi se ai dhe ekipi i tij nuk kanë kryer asnjë shkelje.

“Dhe, shtypi bëri një punë të madhe për ta. Por ne nuk bëmë asgjë të keqe. Nuk kemi bërë asgjë të keqe për asgjë.”

Ndërkohë, gjykatësja federale Aileen Cannon ka bllokuar publikimin e raportit përfundimtar të Jack Smith mbi hetimet ndaj Trump.

Ky urdhër pengon Smithin dhe Departamentin e Drejtësisë të publikojnë raportin derisa Gjykata e 11-të e Apelit e Rrethit të SHBA të shqyrtojë një mocion urgjent të paraqitur nga bashkëpandehurit e Trump për të ndaluar publikimin.

Në maj të vitit 2018, Smith ishte emëruar Prokuror i Specializuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë dhe ka marrë funksionet e tij për të hetuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, në shtator 2018.

Smith është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen ende në Hagë.

Më herët ish i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte folur për prokurorin Smith dhe lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në një intervistë të gjatë në emisionin e Grida Dumës, ai vlerësoi se Thaçi duhet të lirohet dhe se evropianët po bëjnë një punë të pistë.

“Kryeministri Rama ka folur shumë hapur për z. Hashim Thaçi dhe çfarë po bëjnë evropianët në gjykatën e drejtësisë në Hagë. Ai e ka quajtur Thaçin peng, dhe kjo që po bëjnë evropianët është skandaloze. Duhet të jemi të aftë e të shohim përpara. Duhet ta lirojnë Thaçin, duhet ta pranojnë se çështja e Jack Smith ishte politike”.

“Evropianët duket sikur po bëjnë një punë të pistë për shkak të politikës”, kishte deklaruar Grenell.

Ndërsa në korrik të këtij viti, Grenell kishte njoftuar për lirimin nga akuza për dokumente të klasifikuara të Departamentit amerikan të Drejtësisë që i viheshin në barrë ish-presidentit amerikan Donald Trump, rastin e të cilit e kishte pasur prokurori i Hashim Thaçit, Jack Smith.

Por, tani sipas Grenellit, është radha që të lirohet edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili akuzohet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Rasti i Jack Smith kundër Trump po shpërbëhet. Radha është te ti, Hashim Thaçi ”, ka shkruar Grenell në platformën “X”.