Tragjedia në Livoç, një muaj paraburgim për të pandehurin
Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit V. R., nën dyshimin për vrasjen e bashkëshortes dhe të vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë në Livoç të Ultë. Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 14:21, pas…
Lajme
Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit V. R., nën dyshimin për vrasjen e bashkëshortes dhe të vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë në Livoç të Ultë.
Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 14:21, pas një mosmarrëveshjeje për motive ende të panjohura.
Në njoftim thuhet se i dyshuari fillimisht kishte qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij, N. B., e cila ndodhej në ulësen e pasagjerit në veturë, duke e privuar nga jeta.
Më pas, sipas dyshimeve të paraqitura në vendimin e gjykatës, ai ishte kthyer në hyrje të fshatit Livoç të Ultë, ku ndodheshin vëllai i bashkëshortes, E. B., dhe dy persona të tjerë.
Gjykata bën të ditur se i dyshuari kishte dalë nga vetura me armë në dorë dhe u kishte thënë të pranishmëve: “Unë jetën e humba se gruan e vrava, edhe juve kam me ju vra”.
Sipas njoftimit, ai më pas kishte shtënë me armë në drejtim të tyre. R. B. kishte arritur të largohej, ndërsa M. B. ishte plagosur dhe kishte ikur në oborrin e një shtëpie. E. B. nuk kishte arritur të largohej dhe kishte mbetur i vrarë në vendin e ngjarjes.
Pas kësaj, i dyshuari e kishte dërguar bashkëshorten në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, para emergjencës, dhe më pas ishte dorëzuar në polici.
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit prej një muaji. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Lajmi.net/