Tërnava: Festat të shfrytëzohen për të sjellë lumturi tek ata që kanë nevojë

Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemër të atyre që kanë nevojë. Kështu është shprehur myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin e urimit për festën e Kurban Bajramit. “Le të festojmë duke trajtuar të sëmurit e duke vizituar të afërmit. Duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke…

Lajme

15/06/2024 11:43

Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemër të atyre që kanë nevojë. Kështu është shprehur myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin e urimit për festën e Kurban Bajramit.

“Le të festojmë duke trajtuar të sëmurit e duke vizituar të afërmit. Duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjarë dhe e ushqejmë atë mes vlerash kombëtare e fetare dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë”, ka theksuar myftiu Tërnava.

“Ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së Kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit. Njëherësh ju uroj ditën e çlirimit të vendit tonë për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”, ka shtuar ai.

Tërnava tutje ka thënë se së bashku me miliona haxhilerë nga mbarë bota, të cilët sot gjenden në Mekën e shenjtë për ta kryer haxhin, janë edhe një numër i vëllezërve dhe motrave tona nga Kosova dhe vendeve tjera shqiptare, por edhe nga mërgata e largët, e të cilët bëjnë lutje për faljen e mëkateve dhe për begati nga Krijuesi fuqiplotë.

Tërnava është lutur për paqen në vendin tonë dhe tolerancë, por edhe rikthim të paqes në Palestinë e Ukrainë.