Tërnava u uron besimtarëve Kurban Bajramin

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët për Festën e Kurban Bajramit, duke u bërë thirrje për më shumë mirësi mes tyre. Në urimin e tij tradicional në prag të Festës së Bajramit të Vogël, Tërnava tha se kjo festë është përkujtim i sakrificës të profetit Ibrahim, “i cili ishte i gatshëm të flijonte…

Lajme

05/06/2025 12:06

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët për Festën e Kurban Bajramit, duke u bërë thirrje për më shumë mirësi mes tyre.

Në urimin e tij tradicional në prag të Festës së Bajramit të Vogël, Tërnava tha se kjo festë është përkujtim i sakrificës të profetit Ibrahim, “i cili ishte i gatshëm të flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të madhërishëm, e i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufi e as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin e lartë pikërisht në dorëzimin ndaj vullnetit hyjnor të Zotit”.

“Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron në frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, tha ai.

Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami është festë fetare, por bart edhe mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare.

“Festa e Bajramit nuk kufizohet vetëm me adhurim, por ajo kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun”, u shpreh ai.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kubanit dhe kryerjen e haxhillëkut.

“Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit dhe në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhillëkun – udhëtimin e jetës – me lutjet e tyre drejtuar krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë”, tha Tërnava.

Haxhillëku ka nisur më 4 qershor dhe besimtarët myslimanë do të kryejnë rite fetare në Mekë deri më 8 qershor. Këtë vit, më shumë se 1.5 milion pelegrinë po marrin pjesë në ritualin më të rëndësishëm të Islamit.