Tentoi t’i godiste policët, më pas u përplas me veturën zyrtare dhe u ndalua në Gjakovë
Një person është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet se nuk iu bind urdhrit të Policisë së Kosovës për t’u ndalur, tentoi t’i godiste zyrtarët policorë dhe më pas u përfshi në një aksident trafiku në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë. Rasti është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi. Sipas…
Lajme
Një person është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet se nuk iu bind urdhrit të Policisë së Kosovës për t’u ndalur, tentoi t’i godiste zyrtarët policorë dhe më pas u përfshi në një aksident trafiku në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë.
Rasti është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj, gjatë kontrolleve rutinore të policisë në fshatin Krushë të Rahovecit, i dyshuari ka refuzuar të ndalojë në pikën e kontrollit, ndërsa njësitë policore kanë nisur ndjekjen e tij.
“I dyshuari ka refuzuar të ndalojë dhe ka tentuar t’i godasë zyrtarët policorë”, tha Krasniqi.
Ajo bëri të ditur se gjatë ndjekjes, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i dyshuari ka goditur automjetin zyrtar të Policisë, duke shkaktuar një aksident trafiku ku është përfshirë edhe një automjet civil.
“Gjatë përcjelljes nga një patrullë tjetër policore në rrugën ‘Gasper Karaqi’ në Gjakovë, i dyshuari ka goditur automjetin zyrtar të Policisë, duke shkaktuar aksident trafiku ku është përfshirë edhe një automjet civil”, deklaroi Krasniqi.
Pas aksidentit, i dyshuari është përpjekur të largohet në këmbë, por është ndaluar nga policia dhe është shoqëruar në stacionin policor.
Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tij janë iniciuar rastet “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. /Lajmi.net/