Tahiri: Kosova është në proces integrues pa agjendë, vendi i vetëm në Evropë që ishte nën sanksionet e BE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, gjatë debatit në Kuvend për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, ka kritikuar ngecjen e vendit në procesin e integrimit evropian. Tahiri ka thënë se raporti i Komisionit Evropian është një nga vlerësimet më kredibile për institucionet e Kosovës, pasi pasqyron gjendjen reale të vendit dhe rrugën…

Lajme

11/11/2026 14:27

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, gjatë debatit në Kuvend për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, ka kritikuar ngecjen e vendit në procesin e integrimit evropian.

Tahiri ka thënë se raporti i Komisionit Evropian është një nga vlerësimet më kredibile për institucionet e Kosovës, pasi pasqyron gjendjen reale të vendit dhe rrugën e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai ka theksuar se, pavarësisht dallimeve politike, integrimi evropian duhet të mbetet synim i përbashkët i të gjitha partive në Kosovë.

“Para nesh kemi një raport i cili e pasqyron gjendjen reale të vitit që lamë pas, por njëkohësisht edhe perspektivën e Kosovës drejt një destinacioni që është rruga e integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Tahiri.

Duke folur për gjendjen aktuale të vendit, ai ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një proces integrues pa agjendë të qartë.

“Ku është Kosova sot? Kosova sot është në një proces integrues totalisht pa agjendë”, ka thënë ai.

Tahiri ka përmendur edhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke deklaruar se vendi ka qenë nën sanksione për një periudhë të gjatë.

“Vendi i vetëm jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në Evropë, që ka qenë në sanksione të BE-së nga data 15.12.2024 deri më 7 mars 2026”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka shtuar se raporti përmban çështje dhe gjetje që, sipas tij, kërkojnë trajtim serioz nga Kuvendi dhe Qeveria, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale për avancimin e Kosovës në rrugën evropiane. /Lajmi.net/