Sveçla: Përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë gradualisht Policisë së Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si lajm të mirë vendosjen e Policisë së Kosovës në Urën Kryesore të Mitrovicës, në kuadër të nisjes së procesit gradual të largimit të Misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, nga prania e përhershme në këtë pikë. Në një prononcim për media…

Lajme

10/08/2026 17:45

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si lajm të mirë vendosjen e Policisë së Kosovës në Urën Kryesore të Mitrovicës, në kuadër të nisjes së procesit gradual të largimit të Misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, nga prania e përhershme në këtë pikë.

Në një prononcim për media nga Ura e Mitrovicës, Sveçla tha se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë kryesore për sigurinë në urë.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të fillimit të një procesi ku përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës. Kjo vjen pas një pune të gjatë dhe të suksesshme të të gjitha institucioneve të sigurisë, pas sukseseve të njëpasnjëshme të Policisë së Kosovës në sigurimin e rendit dhe ligjit dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim”, deklaroi Sveçla.

Ai tha se prania e Policisë së Kosovës në urë do të reduktohet gradualisht me përmirësimin e situatës së sigurisë.

“Patjetër që ky është një lajm i mirë. I gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani e ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë. Sigurisht që, me përmirësimin e sigurisë, edhe vetë prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garanci për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ te askush”, tha ai.

I pyetur se kur pritet të hiqen barrikadat dhe të mundësohet lëvizja e automjeteve në këtë pjesë, Sveçla tha se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Liqenin e Ujmanit, Sveçla tha se Kosova është mësuar me deklarata që, sipas tij, cenojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e vendit.

“Për sa u përket deklaratave të Vuçiqit, jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të cilat cenojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e Republikës së Kosovës. Të them të drejtën, nuk është se na bëjnë përshtypje, për shkak se nuk jemi të befasuar nga qëndrimet e tyre. Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo Serbi e viteve 1998 dhe 1999, por Kosova nuk është më e njëjta. Kosova po forcohet, po ecën përpara dhe është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë për të garantuar siguri për të gjithë”, ka shtuar Sveçla.