Shpërndarja e Kuvendit, këto janë pritjet për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese
Vendosja e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për dekretin për shpërndarjen e Kuvendit nuk paragjykon epilogun përfundimtar të procesit, vlerëson avokati Ardian Bajraktari. Sipas tij, edhe në të kaluarën ka pasur raste kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, por në fund ka konstatuar se akti i kontestuar ka qenë në përputhje me…
Lajme
Vendosja e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për dekretin për shpërndarjen e Kuvendit nuk paragjykon epilogun përfundimtar të procesit, vlerëson avokati Ardian Bajraktari.
Sipas tij, edhe në të kaluarën ka pasur raste kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, por në fund ka konstatuar se akti i kontestuar ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
Ai shton se mbetet të shihet se si do t’i qaset Gjykata Kushtetuese kësaj çështjeje, duke theksuar se neni 86, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton qartë që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Megjithatë, sipas tij, në rastin konkret dispozita është e heshtur dhe për këtë arsye Gjykata mund ta interpretojë në mënyrë sistemore.
Andaj, Bajraktari pret që Kushtetuesja të vazhdojë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit dhe vetëm më pas të shkohet në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti.
“Vendosja e masës së përkohshme në asnjë variant nuk e paragjykon epilogun e këtij procesi, sepse edhe në të kaluarën ka pasur raste ku, për shembull në rastin e dekretit të qeverisë Hoti, siç njihej, po ashtu ka pasur masë të përkohshme, mirëpo në fund të procesit Gjykata ka konstatuar që dekreti ka qenë në pajtim me Kushtetutën. Mbetet të shihet se si do t’i qaset Gjykata Kushtetuese kësaj çështjeje, sepse vlen të theksohet fakti që sipas nenit 86 paragrafi 2 i Kushtetutës, është e përcaktuar qartë që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit, përkatësisht presidentit aktual. Mirëpo që dispozita në rastin konkret është e heshtur dhe për rrjedhojë vlen të theksohet fakti që brenda këtij mandati, brenda kësaj periudhe, së paku ka filluar në kuptimin formal procedura, pastaj i mbetet Gjykatës në rast se mbi bazën e interpretimit në mënyrë sistemore të dispozitave kushtetuese, e vlerëson të arsyeshme dhe të bazuar faktin që ta rikthejë çështjen dhe eventualisht të vazhdohet afati 60 ditor deri në arritmin e të njëjtit, në mënyrë që pastaj të shkohet në zgjedhje”, thotë ai.
Ndërsa, sociologu Artan Muhaxhiri vlerëson se Gjykata Kushtetuese është shndërruar në adresën kryesore ku politikanët po kërkojnë zgjidhjen e krizave politike. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të mungesës së kompromisit dhe marrëveshjeve politike mes partive.
Ai e cilëson këtë si delegim të kompetencave politike drejt kësaj gjykate dhe një tregues të mungesës së kulturës politike, duke shtuar se bllokadat po i kushtojnë Kosovës me pasoja në politikë dhe ekonomi, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
“Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese është bërë adresa e vetme e politikanëve tanë të cilët dështojnë që të sillen në mënyrë normale, që të bëjnë kompromise, që të bëjnë marrëveshje tipike politike, edhe për këtë arsye tashmë edhe nënkuptohet që të gjitha bllokadat do t’i zgjidhë Gjykata Kushtetuese. Ky është një delegim i kompetencave politike drejt kësaj gjykate dhe është shumë zhgënjyese që partitë politike, liderët politikë, nuk e kanë as vullnetin më të vogël, as guximin, as dijen që me sjellje politike, me kulturë politike t’i tejkalojnë këto bllokada dhe që Kosovës të mos i kushtojnë precedentët kaq shtrenjtë, me kaq shumë bllokada, me kaq shumë pengesa dhe me dëme shumëdimensionale në politikë, në ekonomi, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm”, thekson Muhaxhiri.
Ndërkaq, Bajraktari sqaroi se aktualisht qeveria vazhdon të funksionojë me kompetenca të plota, ndërsa aktiviteti i Kuvendit është i pezulluar.
Sipas tij, në dispozitivin e aktgjykimit theksohet qartë se Kuvendit i ndalohet çdo aktivitet deri në një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese.
“Jo, qeveria është me kompetenca të plota, ndërsa Kuvendi është i pezulluar për faktin se, siç theksohet në pikën 1 të dispozitivit të aktgjykimit, që në fakt është edhe pjesa urdhëruese në rastin konkret, Kuvendit i ndalohet çdo punë, çdo aktivitet. Prandaj, deri me një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi dhe aktiviteti, përkatësisht puna e tij, është e bllokuar, po ashtu sikurse edhe dekreti, përkatësisht pasojat e dekretit për shpërndarjen e legjislaturës së 10-të”, shton ai.
Për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk zgjodhi presidentin deri më 5 mars, presidentja Vjosa Osmani, përmes një dekreti, shpërndau legjislaturën e dhjetë, mirëpo pas ankesës së Qeverisë së Kosovës, Kushtetuesja më 9 mars vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars.
Kushtetuesja pezulloi edhe punën e Kuvendit sipas detyrës zyrtare. Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar përkohësisht çdo aktivitet të Kuvendit, ndërsa ka pezulluar edhe efektet juridike që rrjedhin nga dekreti për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë