Shiu vërshon Podujevën, Hyseni i drejtohet Bulliqit: Ky ujë shpejt do ta marrë edhe keqqeverisjen tuaj

Reshjet e shiut që kanë përfshirë pasditen e sotme një pjesë të territorit të Kosovës, kanë shkaktuar vërshime në komunën e Podujevës. Disa rrugë të kësaj komune janë mbuluar nga pellgjet e krijuara nga shiu duke krijuar kështu vështirësi në qarkullim. Uji ka përfshirë edhe oborrin e Qendrës Kryesore të Komunës së Podujevës. Lidhur me…

Lajme

28/05/2024 21:22

Reshjet e shiut që kanë përfshirë pasditen e sotme një pjesë të territorit të Kosovës, kanë shkaktuar vërshime në komunën e Podujevës.

Disa rrugë të kësaj komune janë mbuluar nga pellgjet e krijuara nga shiu duke krijuar kështu vështirësi në qarkullim.

Uji ka përfshirë edhe oborrin e Qendrës Kryesore të Komunës së Podujevës. Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar ish-kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hyseni.

Hyseni në një postim në Facebook, ka kritikuar qeverisjen aktuale në këtë komunë që drejtohet nga LVV, për keqqeverisje.

“Reshjet e shiut gjatë ditës së sotme nxorën në pah realitetin e invesimteve në infrastrukturë nga qeverisja komunale në Podujevë.

Milionat e shumtë të arsyetuar në emër të investimeve në infrastrukturë, janë vetëm gënjeshtra e radhës e mashtrimi i madh i kësaj keqqeverisjeje”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka shtuar se ky ujë shpejt do ta marrë edhe keqqeverisjen tuaj.

“Fatkeqësisht, këto pamje nuk janë vetëm të disa rrugëve kryesore të qytetit, por pamje të tilla vijnë edhe nga oborri i QMF-së në Podujevë.  Podujevën e mori uji me qeverisjen e papërgjegjshme tuajën, por ky ujë shpejt do ta marrë edhe keqqeverisjen tuaj. Sepse, vetëm fundi i kësaj keqqeverisjeje është shpresë për qytetarët e Llapit, të cilët nuk e meritojnë këtë gjë”, ka shkruar Hyseni.