Shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës do t’i kushtojnë KQZ-së mbi 2 milionë euro
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratës që lidhet me shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2026. Sipas dokumentit të publikuar në platformën e prokurimit publik, vlera e parashikuar e kontratës arrin në 2 milionë e 85 mijë euro, shkruan lajmi.net. Kontrata ka të…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratës që lidhet me shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2026.
Sipas dokumentit të publikuar në platformën e prokurimit publik, vlera e parashikuar e kontratës arrin në 2 milionë e 85 mijë euro, shkruan lajmi.net.

Kontrata ka të bëjë me organizimin dhe realizimin e shërbimeve postare për qytetarët e Kosovës që do të votojnë nga diaspora në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Në dokument bëhet e ditur se procedura është zhvilluar si “procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës”, ndërsa njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar më 19 maj 2026.
Procesi lidhet drejtpërdrejt me administrimin e votimit jashtë Kosovës, ku mijëra qytetarë tashmë janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në përgjithësi, nga 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, janë aprovuar 131 mijë e 800 votues, ndërsa mbi 10 mijë aplikime janë refuzuar.
Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e qytetarëve të regjistruar kanë zgjedhur votimin përmes postës.
Sipas tij, nga 131,800 aplikime të aprovuara, 100,522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kuti postare jashtë Kosovës, 3,502 të tjerë për ta dërguar pakon në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 27,776 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit. /Lajmi.net/