“Rrahje, të arrestuar e të lënduar, autobusët i lanë në rrugë” – Çka ndodhi mbrëmjen e sotme mes shoferëve të autobusëve në Prishtinë

Policia e Kosovës mbrëmjen e sotme ka ndërhyrë në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, afër xhamisë së Llapit në Prishtinë, ku shoferët e autobusëve të cilët janë në grevë u përleshën mes vete e  më pas edhe me Policinë. Në pamje e publikuara në mediat vendore shihet kur Policia me forcë e arreston një person dhe…

Lajme

14/03/2025 23:22

Policia e Kosovës mbrëmjen e sotme ka ndërhyrë në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, afër xhamisë së Llapit në Prishtinë, ku shoferët e autobusëve të cilët janë në grevë u përleshën mes vete e  më pas edhe me Policinë.

Në pamje e publikuara në mediat vendore shihet kur Policia me forcë e arreston një person dhe e dërgojnë në veturë.

Rasti për këtë rrahje u e konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku tha se si pasojë e rrahjes pesë persona janë lënduar dhe se ka arrestuar po ashtu pesë persona si të dyshuar për këtë ngjarje.

“Sot rreth orës 20:00 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes pesë persona janë lënduar dhe të njëjtit menjëherë kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti.

Por si erdhi deri të kjo rrahje, cili ishte motivi?

Sipas raportimeve të para thuhet se një konflikt verbal me shoferëve të autobusëve çoi në përleshje fizike e që më pas i’u dashtë edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Por pas gjithë këtij konflikti, shoferët e autobusëve u detyruan që në fund t’i lënë prapë autobusët nga Llapi në rrugë.

VIDEO

Ndërkaq gjatë ditës së sotme, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se po përcjell më vëmendjen protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva.

 

Ai u tha shoferëve të autobusëve respektojeni vendimin, ashtu siç veprojnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës.

Rama tha se ata duhet zbatuar vendimin për linjat ndërurbane, vendim që është zbatuar në vazhdimësi nga linjat ndërurbane që vijnë nga Drenasi, Peja, Gjakova, Ferizaj e qytete të tjera.

“Ky vendim kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar edhe brenda Kryeqytetit, gjë që ka rënduar trafikun dhe ka ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, i cili është përgjegjës për shërbimet e trafikut brenda Kryeqytetit”,shtoi Rama, transmeton lajmi.net

I pari i Prishtinës tha njashtu se duke u respektuar ky vendim qytetarët mund të udhëtojnë brenda kryeqytetit për vetëm 80 cent në ditë.

“Mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat e vendosura nga Policia e Kosovës. Vendimet merren për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, dhe unë i ftoj protestuesit të respektojnë këto vendime për të siguruar një Kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë”.

Kujtojmë se kjo grevë nga Shoqata e Transportit “Podujevë – Prishtinë” vjen si rrjedhojë e “shkeljeve flagrante të të drejtave elementare dhe rrezikut të falimentimit të kompanive transportuese”./Lajmi.net/