Rozeta Hajdari u mbrojt në heshtje përsëri gjatë intervistimit nga Prokuroria Speciale për “rezervat shtetërore”

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale. Kjo ftesë e Prokurorisë për të ka ardhur në kuadër të hetimeve për rastin e “rezervave shtetërore”, shkruan lajmi.net. Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta e cila ka thënë se Hajdari e ka…

Lajme

31/07/2025 12:22

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale.

Kjo ftesë e Prokurorisë për të ka ardhur në kuadër të hetimeve për rastin e “rezervave shtetërore”, shkruan lajmi.net.

Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta e cila ka thënë se Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, njoftoheni se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”. Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje. Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë Luta për lajmi.net. 

Ajo për këtë aferë ishte intervistuar edhe para rreth një viti.

Ky skandal erdhi pas raportimeve, se një sasi e madhe e vajit, miellit e sheqerit për rezervën shtetërore, nuk erdhi fare në Kosovë.

Ajo kishte thënë se nuk është intervistuar.

“Nuk kam qenë e intervistuar, bëhet fjale për rezervat shtetërore.” – ka thënë ajo.

VIDEO:

Tutje, ajo ka thënë se do të japin përgjigjet pasi të qartësohet legjislacioni.

“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet.” – ka thënë ajo.

Për këtë rast, sot pritet të intervistohet edhe ish-sekretari i MINT, Irfan Lipovica.

Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.

I përfshirë ishte edhe njeriu i afërt i Kurtit, pronari i restaurantit ‘Bukë e Zemër’, Ridvan Muharremi.

Në audio-incizime, zyrtarët e MINT-it e konfirmonin se malli nuk kishte ardhur, dhe vlera ishte mijëra euro.

Prokuroria Speciale kishte ndërmarrë aksion duke arrestuar tre persona.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Pasi të tre personave i ishte caktuar paraburgimi, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin dhe i la në liri personat e arrestuar. /Lajmi.net/