Rasti i sulmit ndaj gazetarit Burim Pacolli: Gjykata Supreme zëvendëson paraburgimin me ndalim afrimi ndaj tij për “Mossin” dhe dy të tjerët

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta ndërpresë masën e paraburgimit ndaj Gramos Krasniqit, reperit të njohur si “Mossi”, i dyshuar për sulm ndaj gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli. Vendimi ka të bëjë me të pandehurit Bajram Hajdari, Auron Duplaku dhe Gramos Krasniqi, të cilëve u është zëvendësuar paraburgimi me masën e ndalimit të afrimit…

ShowBiz

15/04/2026 15:55

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta ndërpresë masën e paraburgimit ndaj Gramos Krasniqit, reperit të njohur si “Mossi”, i dyshuar për sulm ndaj gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli.

Vendimi ka të bëjë me të pandehurit Bajram Hajdari, Auron Duplaku dhe Gramos Krasniqi, të cilëve u është zëvendësuar paraburgimi me masën e ndalimit të afrimit ndaj vendit apo personit të caktuar.

Lajmi është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.

Sipas vendimit, të pandehurve u ndalohet afrimi në distancë prej 100 metrash ndaj të dëmtuarit, çdo kontakt apo komunikim me të, për periudhën e mbetur të masës, respektivisht deri më 03.04.2026.

Gjykata ka paralajmëruar se në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara, mund të urdhërohet sërish masa e paraburgimit ndaj tyre.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk ekzistojnë rrethana konkrete që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit, duke theksuar se identiteti dhe vendbanimi i të pandehurve janë të njohura dhe se nuk është provuar rreziku i arratisjes.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se pretendimet për ndikim në dëshmitarë apo përsëritje të veprës penale nuk janë të mbështetura me fakte konkrete dhe janë të bazuara në arsyetime të përgjithshme.

Në vendim theksohet se masa e ndalimit të afrimit është e mjaftueshme për të siguruar zhvillimin normal të procedurës penale dhe mbrojtjen e palës së dëmtuar.

Gjykata gjithashtu ka vendosur që ky ndryshim mase të vlejë edhe për të pandehurin Gramos Krasniqi, “Mossi” edhe pse ai nuk kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Derisa Pacolli ishte sulmuar javë më parë fizikisht te rrethi i “Interex”-it në Prishtinë, derisa po kryente shërbimet personale bankare. /Lajmi.net/