Qendra Rehabilituese në Shtime e mbushur me pacientë, trupat e disave që vdesin familjet nuk i marrin as për t’i varrosur
Në Qendrën Rehabilituese të të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime aktualisht nuk ka asnjë vend të lirë, pasi aty po trajtohen 65 pacientë rezidentë, aq sa edhe ka kapacitet ky institucion.
Lajme
Pavarësisht se po funksionohet me kapacitet të plotë, ky institucion shëndetësor po ka mungesë të stafit. Për këtë, drejtori i kësaj qendre, Miftar Zenelaj kërkon nga institucionet përkatëse plotësimin e stafit mjekësore.
“Momentalisht kemi 65 pacientë, të cilët i trajtojmë, u ofrojmë shërbimet shëndetësore dhe shërbimet tjera 24 ore. Organizimi behet në tri ndërrime i stafit mjekësore dhe i stafit tjetër teknik dhe shërbyes tjerë. Kemi një staf që ka një ngritje profesionale të avancuar me trajtimin me metoda protokollare moderne gjithashtu roli i këtij institucioni është ri-integrimi dhe ri-socializmi i këtyre pacienteve në komunitet dhe familje.. Staf mjekësore profesional duke përfshirë psikologun, psiko-sociologun, terapistin-vukacional e të tjerë është mungesë, mirëpo ne shpresojmë që institucionet tona do të plotësojnë e stafit profesional për trajtim sa me adekuat të këtyre pacienteve”, shprehet ai për Lajmi.net.
Në këtë qendër kujdesi për pacientët në disa raste është deri në momentin e fundit të jetës së tyre. Por, fatkeqësisht ka raste kur këtë nuk e bëjnë familjet e tyre. Ata, madje nuk i marrin as kufomat.
“Sa i përket bashkëpunimit familjarë me familjaret e këtyre pacienteve, kemi një bashkëpunim me ata familjarë të cilët nuk kanë hequr dorë prej familjareve të tyre të cilin e kanë këtu, por një pjesë e konsiderueshme e këtyre pacienteve është e braktisur nga familjaret. Ka prej atyre që nuk ka vizita me vite të tëra, por kemi edhe rastet me ekstreme që ndodhin që kur vdes familjari i tyre këtu nuk shprehin interesim për ta tërhequr kufomën”, tha ai.
Zenelaj ka bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit të personave që vdesin në qendrën rehabilituese, Komuna e Shtimes vite me parë ka ndarë një parcelë dhe se për procedurat e varrimit përkujdeset vet stafi i këtij institucioni.
Ndërkaq, në këtë qendër trajtim marrin aktualisht pacientë edhe të moshave të reja.
“Është institucion sekondar njësi përbërëse e SHSKUK-së dhe trajton kategorinë e pacienteve psikiatrike të cilët janë të diagnostikuar me skizofroni paranoide, i trajton rastet më të rënda të sëmundjeve psikike në nivel vendi. Zakonisht pacientet këtu vijnë në gjendje të përkeqësuar në aspektin psiko-emocional gjithashtu manifestojnë edhe çrregullime menduarit, sferës se sjelljes dhe natyrave të ndryshme të çrregullime psikike. Mosha mesatare e pacienteve është 54 vjeç, kemi prej moshës 22 vjeçare deri 84 vjeç”, shprehet Zenelaj.
Përveç moshave të ndryshme, në Qendrën Rehabilituese të të Sëmurëve Kronik Psikiatrik trajtohen pacientë të nacionaliteteve të ndryshme. /Lajmi.net/