Punimi i logos për ambasadën në Washington DC i kushton buxhetit të shtetit mbi 7 mijë euro – MPJD jep tenderin
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë kontratë për realizimin e projektit “Punimi i logos për Ambasadën në Washington DC”, me vlerë prej 7,222 euro. Kontrata është nënshkruar dje më 17 qershor, pas përfundimit të procedurave të prokurimit. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë tender kanë marrë pjesë pesë operatorë ekonomikë. Kontrata i…
Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë kontratë për realizimin e projektit “Punimi i logos për Ambasadën në Washington DC”, me vlerë prej 7,222 euro.
Kontrata është nënshkruar dje më 17 qershor, pas përfundimit të procedurave të prokurimit.
Sipas të dhënave zyrtare, në këtë tender kanë marrë pjesë pesë operatorë ekonomikë. Kontrata i është dhënë Grupit të Operatorëve Ekonomikë “Megrant ING Sh.P.K.” dhe Lumjetë Havolli B.I., me seli në Prishtinë.
Vlera e ofertës fituese është 7,222 euro, ndërsa oferta më e lartë e përgjegjshme në këtë procedurë ka qenë 7,670 euro. Sipas njoftimit, projekti synon krijimin e një identiteti të ri vizual për Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington DC, duke forcuar prezantimin institucional dhe komunikimin vizual të misionit diplomatik.
“Përzgjedhja e operatorit ekonomik është bërë pas vlerësimit të ofertave të pranuara në kuadër të procedurës së prokurimit publik. Autoriteti kontraktues ka vlerësuar ofertën fituese si ekonomikisht më të favorshmen në raport me kërkesat e tenderit. Ky projekt pritet të kontribuojë në avancimin e identitetit institucional të Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në përmirësimin e prezantimit të saj në aktivitetet diplomatike dhe publike”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net.
