Punëtori i minierës “Trepça” lëndohet rëndë në vendin e punës, e rasti mbahet i mbyllur – sot thuhet se u lëndua gjatë montimit të një gome
Një punëtor i Trepçës, saktësisht një agjystator i kësaj miniere është lënduar gjatë punës së tij. Ditë më parë, saktësisht në mbrëmjen e 4 gushtit, derisa po punonte në horizontin IX në punishten 136 dhe po montonte një gomë të makinës vetëngarkuese me ajër të komprimuar me të cilën bartet xehja- ka pësuar lëndime të…

Lajme
Një punëtor i Trepçës, saktësisht një agjystator i kësaj miniere është lënduar gjatë punës së tij.
Ditë më parë, saktësisht në mbrëmjen e 4 gushtit, derisa po punonte në horizontin IX në punishten 136 dhe po montonte një gomë të makinës vetëngarkuese me ajër të komprimuar me të cilën bartet xehja- ka pësuar lëndime të rënda.
Punëtori në fjalë u lëndua rëndë gjatë orarit të punës në Minierën me Flotacion Trepça-Stan Tërg gjatë montimit të një gome të makinës vetëngarkuese me ajër të komprimuar me të cilën bëhet bartja e xehes, e ky rast u “mbyll” dhe s’u bë publik nga askush.
E pas dy ditësh në lidhje me këtë rast për lajmi.net u deklarua zëdhënësja e kompanisë “Trepça”, Donika Osmani Mehmeti, e cila edhe konfirmoi se dy ditë më parë pati një incident, meqë rast si shkak i lëndimeve të marra punëtori po vazhdon të trajtohet në QKUK.
“Punëtori është jashtë rrezikut për jetën dhe është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë Komisioni i Brendshëm i Trepça Sh.A. dhe inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të cilat do të dalin me një raport zyrtar për situatën e krijuar dhe shkaqet që kanë çuar deri te incidenti”, ka thënë Osmani Mehmeti për lajmi.net.
Siç është raportuar në disa media lokale të Mitrovicës, ai ka thyer dorën dhe brinjët, ka nxjerr krahun nga vendi ndërsa ka qepje në kokë.
Në lidhje me rastin, lajmi.net ka kontaktuar edhe me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzin, i cili ka thënë se ai ka pësuar lëndime pasi ka shpërthyer goma.
“Gjatë kryerjes së detyrave të tij, ka ndodhur shpërthimi i gomës dhe i ka shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë shkurt Januzi.
Punëtorët e kësaj miniere në vazhdimësi janë përballur si me vështirësi financiare, ashtu edhe me kushte të vështira pune, ndërkaq deri sot nuk ka pas ndonjë investim nga Qeveria e Kosovës e cila do t’ia lehtësonte punën këtyre minatorëve. /Lajmi.net/