Prokuroria në Gjakovë nis hetimet ndaj personit që u kap me “kërpudha magjike”, kërkon nga Gjykata caktimin e paraburgimit
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet Z.V., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket…

Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet Z.V., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet Z.V., më datë 04.06.2025 rreth orës 19:45 min në Gjakovë, rr.”Konferenca e Bujanit”, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ka transportuar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që derisa ka qenë në lëvizje për gjatë rrugës së lartcekur me automjetin WV Golf, pas ndaljes së tij nga policia për kontroll rutinë, në xhepin e pantallonave të tij janë gjetur nëntë (9) qese plastike me substancë narkotike të quajtura “kërpudha narkotike – magjike” në peshë prej 28.44 gr, të cilat substanca i pandehuri ka qene duke i transportuar dhe njëherit janë sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 të KPRK-së.
I pandehuri që nga data 4 qershor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.