Policia kap mbi 32 kg drogë të fshehur në veturën me targa serbe, arrestohet një person
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë nga Policia e Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm në rajonin e Mitrovicës së Veriut, ku ka parandaluar transportimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh. Sipas njoftimit nga policia, bëhet e ditur se pas një informacioni të besueshëm se një automjet me targa serbe po transportonte narkotikë,…

Lajme
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë nga Policia e Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm në rajonin e Mitrovicës së Veriut, ku ka parandaluar transportimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.
Sipas njoftimit nga policia, bëhet e ditur se pas një informacioni të besueshëm se një automjet me targa serbe po transportonte narkotikë, u realizua operacioni në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë.
Gjatë realizimit të operacionit policor të koduar “ SHTEGU” për kontrolle të disa automjeteve të dyshuara, një automjet i markës Mercedes A-Class me targa serbe është përzgjedhur për kontroll. Pasi janë ngritur dyshime të theksuara, automjeti në fjalë është dërguar në Mitrovicën e Jugut për një kontroll më të detajuar. Gjatë inspektimit dhe kontrollit të automjetit, në pjesën e poshtme të tij është gjetur një rezervuar i shtuar metalik, me përmasa 160×97 cm dhe thellësi 25 cm, i cili dyshohej të mbante substanca narkotike.
Pas hapjes së rezervuarit, janë gjetur gjithsej 30 pako të mbështjella me folie transparente, që përmbanin substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë. Pesha totale e sasisë së konfiskuar është 32.4 kilogramë.
Më tej bëhet e ditur se operacioni është realizuar në konsultim të plotë me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Në përputhje me procedurat ligjore, dy telefonë celularë janë konfiskuar dhe automjeti i dyshuar është sekuestruar për hetime të mëtejshme.
I dyshuari, me iniciale (N.M-Beograd) pas veprimeve të para hetimore, është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimi i rastit vazhdon nga antidroga- Mitrovicë e Veriut.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe rendin, duke luftuar me vendosmëri çdo formë të krimit, përfshirë trafikun e narkotikëve dhe veprimtaritë e paligjshme që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe inkurajon çdo individ që ka informacione për aktivitete të dyshimta kriminale, që të kontaktojë autoritetet përkatëse”, thotë policia.