Përveç sëmundjes, pacientët me kancer metastatik përballen edhe me mungesën e Palbociclibit në QKUK – Çmimi për ta blerë deri në rreth 2 mijë euro

Pacientët me kancer që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po përballen me mungesën e ilaçit Palbociclib, i cili përdoret në trajtimin e disa formave të kancerit metastatik të gjirit. Për shkak të mungesës së këtij medikamenti në Klinikën e Onkologjisë, pacientët po detyrohen ta sigurojnë vetë, ndërsa çmimi i tij në treg…

Lajme

16/07/2026 19:22

Pacientët me kancer që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po përballen me mungesën e ilaçit Palbociclib, i cili përdoret në trajtimin e disa formave të kancerit metastatik të gjirit.

Për shkak të mungesës së këtij medikamenti në Klinikën e Onkologjisë, pacientët po detyrohen ta sigurojnë vetë, ndërsa çmimi i tij në treg varion nga 1,500 deri në 1,900 euro, një kosto e papërballueshme për shumë familje.

Lidhur me mungesën e këtij ilaçi, Qendra Klinike Universitare e Kosovës për lajmi.net ka konfirmuar se problemi lidhet me procedurat e prokurimit.

“Bazuar nga të dhënat e Divizionit për Menaxhimin e Produkteve Medicinale në ShSKUK, ju njoftojmë se, sa i përket pyetjeve tuaja në lidhje me produktin Palbociclib, ju informojmë që pas dështimit në procedura të prokurimit, lënda është riinicuar dhe është në procedurë të prokurimit. Për informacion më të detajuar ju lutem referojuni platformës së E-prokurimit”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Institucioni nuk ka bërë të ditur se kur pritet të përfundojë procedura e re e prokurimit dhe kur ilaçi do të jetë sërish në dispozicion për pacientët.

Mungesa e Palbociclib prek pacientët që varen nga ky trajtim për kontrollimin e sëmundjes, ndërsa deri në furnizimin e ri, shumë prej tyre mbeten përballë zgjedhjes mes ndërprerjes së terapisë ose pagesës së mijëra eurove për ta blerë ilaçin në treg. /Lajmi.net/