Pas më shumë se katër muajsh hetime në Prishtinë, Prokuroria ndalon dy të dyshuarit për sulmin ndaj zyrtarit të IPK-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar në lidhje me sulmin ndaj një zyrtari të Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), rast ky që kishte ndodhur më 23 mars të këtij viti në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet A.D. dhe L.D. janë ndaluar me…

Lajme

06/08/2026 15:06

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar në lidhje me sulmin ndaj një zyrtari të Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), rast ky që kishte ndodhur më 23 mars të këtij viti në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet A.D. dhe L.D. janë ndaluar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, pasi janë paraqitur në Policinë e Kosovës. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”.

Në komunikatën zyrtare, Prokuroria bën të ditur se deri në këtë fazë të hetimeve janë siguruar prova që mbështesin dyshimin e bazuar se rasti lidhet me incidentin e ndodhur në mars, ku viktimë ishte një zyrtar i IPK-së.

“Bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri më tani, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e bazuar, rezulton se rasti ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur më 23 mars 2026 në Prishtinë, ku i dëmtuar është një zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), për të cilën Prokuroria ka zhvilluar veprime intensive hetimore me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Prokuroria thekson se hetimet nuk kanë përfunduar dhe se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sigurimin e provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Institucioni i akuzës ka bërë të ditur se, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndjekjen penale deri në ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që dyshohet se janë përfshirë në këtë ngjarje. /Lajmi.net/