Pas konfirmimit të aktakuzës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për 4 qershor 2025. Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi. “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca gjyqësore në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P. dhe K.K. është caktuar të mbahet…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për 4 qershor 2025.
Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca gjyqësore në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P. dhe K.K. është caktuar të mbahet me datë 04 qershor 2025, në ora 13.10”, ka thënë Gashi.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Derisa caktimi i seancës së shqyrtimit gjyqësor u bë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 mars 2025 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. /Lajmi.net/