“Pas 30 sekondash është dëgjuar një zhurmë, Bunjaku vdiq në spital – ia mora helmetën” – dëshmia tronditëse e policit Shala për sulmin në Banjskë
Sot rrëfimin për sulmin në Banjskë e ka filluar edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Avni Shala i cili ka shpalosur detaje tronditëse nga vrasja e rreshterit, Afrmi Bunjaku. Ai ka treguar se si shpërthimi pranë barrikadave me dy kamionë zbardhi rrugën pasi siç tha polici, ishte shumë i fuqishëm dhe se kolegu Peci i…

Lajme
Sot rrëfimin për sulmin në Banjskë e ka filluar edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Avni Shala i cili ka shpalosur detaje tronditëse nga vrasja e rreshterit, Afrmi Bunjaku.
Ai ka treguar se si shpërthimi pranë barrikadave me dy kamionë zbardhi rrugën pasi siç tha polici, ishte shumë i fuqishëm dhe se kolegu Peci i ka paralajmëruar se kjo mund të jetë një kurthë.
“Përmes radiolidhjes kemi dëgjuar kolegët e njësisë kufitare që në Banjskë janë vendosur barrikada. Si njësi e trafikut, kam kërkuar nga kolegu im që të shkojmë të shohim sepse kemi vlerësuar që janë pak. Jemi nisur pesë minuta pas tyre, kemi shkuar te barrikada, jemi parkuar në anën e majtë dhe kemi dalë nga automjetet. Kemi filluar të afrohemi, e mbaj mend që vendi ku kanë qenë barrikadat, ka qenë në ndriçim publik, ndërsa pas barrikadës ishin dy kamionë të vendosur në urë në mënyrë paralele, nuk ka pasur ndriçim as në fshatin Banjskë, bile as ndriçim të shtëpive mund të them. Rreshteri sa di unë, ka arritur me biseduar me njësinë kufitare. Rreshteri i vetmi ka qenë i graduar për të parë e dëgjuar dhe të vlerësonte çka tutje. Në ato momente, kolegu Elez Peci ka thënë me zë të lartë “kujdes djema” kjo mund të jetë kurth. Pas 30 sekondash, është dëgjuar një zhurmë si fishekzjarre dhe pastaj një detonim që ka shkaktuar zbardhjen e krejt rrugës”, tha Shala në Gjykatë.
Tutje, zyrtari policor tregoi momentin prekës kur në tokë pa të shtrirë rreshterin e ndjerë, Afrim Bunjakun, siç tha Shala, e kishte prekur në këmbë për të parë nëse ishte gjallë, por ai, nuk lëvizi.
Ai vazhdoi rrëfimin ku tha se në spital e mori vesh që rreshteri kishte ndërruar jetë.
“Të shtëna kishte nga të gjitha anët me kalibra të ndryshëm. Kam shikuar kah drejtimi i barrikadës, e kam vërejtur një person të shtrirë, nuk isha i sigurt që ishte rreshteri edhe pse kam pasur dyshime se ishte ai, e kam prekur nga këmbët, por nuk lëvizte. Minuti ishte orë në ato momente. Në spital e mora vesh që rreshteri kishte ndërruar jetë. E mora armën e tij dhe helmetën që ishte plot me gjak dhe u ktheva në stacion”, tha Shala në dëshmin e tij.