Osmani uron Sirinë në Ditën e Çlirimit: Vendet tona kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Çlirimit të Sirisë. Ajo ka thënë se kjo ditë simbolizon jo vetëm lirinë e rifituar, por edhe rilindjen e shpresës së popullit, shkruan lajmi.net. “Të dy vendet tona, Kosova dhe Siria, kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes, padrejtësisë dhe vuajtjeve të paimagjinueshme. Por ne…

Lajme

08/12/2025 12:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Çlirimit të Sirisë.

Ajo ka thënë se kjo ditë simbolizon jo vetëm lirinë e rifituar, por edhe rilindjen e shpresës së popullit, shkruan lajmi.net.

“Të dy vendet tona, Kosova dhe Siria, kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes, padrejtësisë dhe vuajtjeve të paimagjinueshme. Por ne gjithashtu kemi ditur se çfarë do të thotë të ngrihesh, të transformosh dhimbjen në qëllim dhe forcë. Ne kemi qëndruar të vendosur në besimin tonë se asnjë forcë nuk mund ta shuajë dëshirën e një populli për liri dhe kemi mësuar se drejtësia, megjithëse e vonuar, gjithmonë gjen një zë. Për popullin e Kosovës, liria u fitua përmes kaq shumë sakrificash dhe guximi dhe ne e dimë se i njëjti shpirt përcakton popullin e Sirisë, i cili ka duruar kaq shumë, por kurrë nuk e ka hequr dorë nga besimi i tij në një të nesërme më të mirë. Është ky shpirt i përbashkët i qëndrueshmërisë, dinjitetit dhe shpresës që i lidh dy vendet tona së bashku”, ka thënë Osmani përmes një videomesazhi në “X”.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Republikës Arabe Siriane.

“Kjo njohje është një lidhje morale midis dy popujve që e kuptojnë koston e lirisë dhe vlerën e të qëndruarit krah për krah për një botë më të drejtë. Jemi të entuziazmuar nga ajo që na pret në partneritetin tonë. Republika e Kosovës është e përkushtuar të punojë ngushtë me ju në vitet që vijnë, duke i afruar dy kombet tona edhe më shumë në miqësi dhe bashkëpunim. Të dashur miq në Siri, ju lutem dijeni se Kosova është me ju. Ne do të jemi partneri juaj, miku juaj dhe aleati juaj në çdo hap të rrugës. Nga Prishtina në Damask, zemrat tona rrahin si një e vetme, për liri, për dinjitet dhe për miqësinë e qëndrueshme midis dy vendeve tona. Gëzuar Ditën e Çlirimit”, ka thënë Osmani. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: