Nga qindra mijëra litra karburant tek qindra mijëra euro për përfaqësim – Si i ka shpenzuar paratë për më shumë se 4 vite qeverisje MINT-i?
Teksa qytetarët matin litrat e naftës para se të mbushin rezervuarin e makinës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësi dhe Tregtisë e udhëhequr nga ministrja Rozeta Hajdari, duket se nuk ka pasur asnjë problem të shpenzoj dhjetëra mijëra litra çdo vit. Dokumentet e brendshme zbulojnë një realitet ku karburanti është kthyer në prioritet kryesor, ndërsa mbrojtja e…

Lajme
Teksa qytetarët matin litrat e naftës para se të mbushin rezervuarin e makinës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësi dhe Tregtisë e udhëhequr nga ministrja Rozeta Hajdari, duket se nuk ka pasur asnjë problem të shpenzoj dhjetëra mijëra litra çdo vit.
Dokumentet e brendshme zbulojnë një realitet ku karburanti është kthyer në prioritet kryesor, ndërsa mbrojtja e konsumatorit e inspektimi i tregut mezi shihen në buxhet.
Lajmi.net ka kërkuar qasje në dokumente publike, ku shihet se vetëm gjatë vitit 2023, kjo Ministri në total ka shpenzuar mbi 33 mijë litra karburant, apo plotë 33 mijë e 261 karburant. Vetëm në 7 muajt e parë të 2025-tës, MINT duke përfshirë, Ministren Rizvanolli, kabinetin e saj dhe stafin e Ministrisë, kanë shpenzuar mbi 17 mijë litra naftë.
Në katër vite e gjysmë qeverisje, MINT ka shpenzuar plot 134 mijë litra karburant e të cilat përkthyer në çmimin e tregut kapin vlerën e mbi 160 mijë eurove, shifër kjo tejet e lartë për të shpenzuar vetëm një Ministri në Kosovë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në vitin 2025, në të gjitha departamentet që janë të ndara kanë shpenzuar plot 68 mijë euro e 605 cent.
Bazuar në këtë tabelë të siguruar nga lajmi.net, vërehet që paratë e ndara apo të shpenzuara nga këto departamente kanë dallime ekstreme.
Shpenzimet më të larta i kishte Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë me plot 25 mijë e 755 euro, ndërkaq më së paku kishte shpenzime Agjencioni i Standardizimit të Kosovës me 353 euro.
Departamenti i Rezervave Shtetërore dhe ai për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave janë ato të cilat nuk i kanë shpenzuar asnjë cent buxhetit të Kosovës gjatë 2025-tës.
Shpenzimet më të larta të këtyre departamenteve janë regjistruar në vitin 2024, ku janë plot 118 mijë e 175 euro.
Gjatë këtij viti, departamenti me më së shumti shpenzime nga MINT është Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë me 34 mijë e 157 euro shpenzime vetëm gjatë vitit 2024. Departamenti me më së paku shpenzime gjatë vitit që kemi lënë pas është ai për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave me vetëm 297 euro shpenzime.
9 mijë euro më pak se në vitin 2024, ka shpenzuar MINT gjatë vitit 2023, ku bazuar në këto dokumente janë plot 109 mijë euro. Bazuar në këto të dhëna, departamenti më më së shumti shpenzime në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë del të jetë Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, e cila edhe gjatë 2023-tës ka shpenzuar më së shumti para.
Gjatë këtij viti, kjo Agjenci ka shenzuar plot 48 mijë e 489 euro.
Asnjë cent nuk e ka shpenzuar Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës.
Gjatë vitit 2022, MINT dhe departamentet e saj kanë shpenzuar plot 75 mijë e 719 euro, ndërkaq departamenti me më së shumti shpenzime është Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Departamenti i Rezervave Shtetërore, Departamenti për Investime Strategjike dhe Drejtoria e Akreditimit të Kosovës nuk kanë shpenzuar asnjë cent nga buxheti i ndarë për këtë Ministri.
Viti 2021, ka qenë viti me më së paku shpenzime nga departamentet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në këtë vit janë shpenzuar vetëm 30 mijë e 208 euro, ndërsa shpenzimet më të larta janë regjistruar tek Departamenti i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme. Asnjë cent nuk e ka shpenzuar gjatë 2021-tës, Departamenti për Mbrojtjen e konsumatorit, Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës dhe Agjencia e Metrologjisë së Kosovës.
Gjatë 4 vite e gjysmë qeverisje, MINT ka shpenzuar rreth 401 mijë e 725 euro nga buxheti i shtetit, për të gjitha departamentet në kuadër të kësaj Ministrie.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë udhëtuar edhe për vizita jashtë vendit si dhe kanë organizuar takime në Kosovë, për çka janë shpenzuar para nga buxheti i shtetit.
Në vitin 2021, 11 mijë e 387 euro janë shpenzuar nga kabineti i Ministres për përfaqësim brenda vendit, ndërsa 601 euro për përfaqësim jashtë vendit, që gjithsej janë 11 mijë e 988 euro.
Gjatë vitit 2022, kjo shumë është dyfishuar duke kapur vlerën e 21 mijë e 755 eurove për përfaqësim, saktësisht 20 mijë e 681 euro për përfaqësim brenda vendit dhe 1 mijë e 74 euro për përfaqësim jashtë vendit.
Kjo shumë e shpenzimeve për përfaqësim është rritur për 2 mijë euro në vitin 2023, ku janë shpenzuar 23 mijë euro, saktësisht 20 mijë e 874 euro për përfaqësim brenda vendit nga kabineti i MINT-it dhe 2 mijë e 131 euro për përfaqësim jashtë vendit nga kabineti i MINT-it.
Në vitin 2024 dhe 8 muajt e parë të 2025-tës ka rënë shuma e shpenzimeve.
Në vitin 2024 janë shpenzuar gjithsej 15 mijë e 423 euro për përfaqësim, saktësisht 14 mijë e 596 euro për përfaqësim brenda vendit dhe 827 euro për përfaqësim jashtë vendit.
Në 8 muajt e parë të 2025-tës, janar-gusht 2025 janë shpenzuar 10 mijë e 605 euro, nga to 9 mijë e 919 euro për përfaqësim brenda vendit dhe 685 euro për përfaqësim jashtë vendit.
Gjatë 4 vite e gjysmë qeverisje nga MINT janë shpenzuar plot 82 mijë e 780 euro për përfaqësim brenda dhe jashtë vendit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga viti 2021 deri në muajin gusht të vitit 2025 ka shpenzuar nga buxheti i shtetit afro 650 mijë euro për karburant, shpenzime të tjera dhe për përfaqësim.
Shpenzimet e MINT tregojnë mungesë vizioni dhe prioritetesh të qarta. Në vend që të mbështesë sektorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, buxheti kanalizohet në shpenzime operative dhe karburant, duke e lënë qytetarin në fund të listës. Ky model menaxhimi ngre dyshime të arsyeshme mbi transparencën e ministrisë dhe nevojën urgjente për rishikim të praktikave buxhetore.
Rozeta Hajdari, ministrja e MINT-it është intervistuar dy herë në cilësinë e të pandehurës për rastin e rezervave shtetërore, rast ky për të cilin janë arrestuar 3 persona në vitin 2023.
Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin. /Lajmi.net/