“Në vitin 1999 iu dha disa familjeve serbe”, Ahmeti nga ish-shkolla teknike në Obiliq: Inspeksioni hasi në gjëra të dyshimta

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Sami Ahmeti, është deklaruar nga vendi i ngjarjes në ish-Shkollën Teknike të kësaj komune, ku gjatë punimeve për pastrimin e objektit janë hasur disa gjetje të dyshimta. Ahmeti ka bërë të ditur se objekti, pas dëbimit të nxënësve shqiptarë, në vitin 1999 u ishte dhënë për shfrytëzim disa familjeve…

Lajme

08/09/2026 14:16

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Sami Ahmeti, është deklaruar nga vendi i ngjarjes në ish-Shkollën Teknike të kësaj komune, ku gjatë punimeve për pastrimin e objektit janë hasur disa gjetje të dyshimta.

Ahmeti ka bërë të ditur se objekti, pas dëbimit të nxënësve shqiptarë, në vitin 1999 u ishte dhënë për shfrytëzim disa familjeve serbe.

Sipas tij, gjatë punës së ekipeve komunale dhe inspektimit të objektit janë hasur gjëra që kanë ngritur dyshime dhe për të cilat pritet të ketë sqarime nga institucionet kompetente.

“Në vitin 1999 ky objekt i ishte dhënë disa familjeve serbe, tash inspeksioni ka hasur në gjëra që konsiderohen të dyshimta”, ka deklaruar Ahmeti.

Në objektin e ish-Shkollës Teknike janë parë edhe disa pamje dhe struktura të pazakonta në hapësirat e bodrumit, ndërsa sipas informacioneve të siguruara nga Lajmi.net, aty është zbuluar edhe një ambulancë që dyshohet se i përkiste strukturave ilegale serbe.

Po ashtu, janë ngritur dyshime për mundësinë e ekzistimit të një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar se këto gjetje lidhen me ndonjë varrezë masive apo me krime të luftës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e Policisë së Kosovës, ndërsa pritet që institucionet kompetente të kryejnë verifikimet dhe të sqarojnë natyrën e gjetjeve në objekt. /Lajmi.net/