Mijëra armë u konfiskuan, e shumë aplikime u bën për leje-armësh- Më pak vrasje, por u ngrit numri i rasteve të dhunës në familje

Viti 2024 në Kosovë u shoqërua me një sërë veprash penale, siç bën të ditur Policia e Kosovës. Një numër prej 1186 armësh nga duart e qytetarëve përfunduan në ato të PK-së duke u konfiskuar vetëm në nëntë muajt e parë të vitit. Në një përgjigje referuar lajmi.net nga Policia bëjnë të ditur se brenda…

Lajme

03/01/2025 20:52

Viti 2024 në Kosovë u shoqërua me një sërë veprash penale, siç bën të ditur Policia e Kosovës.

Një numër prej 1186 armësh nga duart e qytetarëve përfunduan në ato të PK-së duke u konfiskuar vetëm në nëntë muajt e parë të vitit.

Në një përgjigje referuar lajmi.net nga Policia bëjnë të ditur se brenda vitit mesatarisht konfiskohen 1000 deri 15000 armë ilegale.

Numri i konsiderueshëm i kanosjeve, tentim vrasjeve, e vrasjeve e bëjnë akoma më shqetësuese shifrën e lartpërmendur, e edhe më të frikshme nëse mendojmë se personat të cilët i posedojnë këto armë pa leje mund t’i përdornin në çfarëdo rasti.

Disa prej tyre u konfiskuan shumë me vonesë, sepse fatkeqësisht të njëjtat veçse u konfiskuan pas veprave penale.

Madje, në rastin më të keq morën edhe jetë njerëzish.

Vrau bashkëshorti-bashkëshorten, privoi nga jeta vëllai-vëllain e u shkrepën qindra plumba edhe mes grupeve për interesa e inate personale të cilat përpos që përfunduan me fatalitet, rrezikuan edhe jetë të të pafajshme e që nuk ishin fare të përfshirë në situata të tilla.

E autorëve të së cilave më pas aktakuzat iu ngritën për veprën në fjalë, shtojmë këtu edhe atë për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

-Numri i armëve të konfiskuar është rritur nga 939, në 1186, ose 26.3 %.

-Numri i personave të arrestuar është rritur për 5.3 %.

-Numri i personave të ndaluar në Qendrat e ndalimit është rritur për 15.3 %.

Ndryshe, në prillin e këtij viti Ministria e Punëve të Brendshme të vendit llogariti se qytetarëve e Kosovës posedojnë hiq më pak se 230 mijë armë pa leje.

Nëse e përkthejmë më shumë del se thuajse çdo i shtati qytetar i vendit posedon një të tillë.

Sipas ministres së Drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu, u kërkua të ketë “ashpërsim të dënimeve për armëmbajtje pa leje”, si dhe “të analizohet sesi sigurohen ato armë”.

Ky deklarim i saj erdhi më 12 prill, pas rastit të vrasjes së Erona Coklit nga ish-bashkëshorti Valon Aliu, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Por në vitin 2024, edhe interesi për armëmbajtje në vend ka qenë dukshëm i lartë.

“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, janë regjistruar gjithsej 14,340 aplikime për pëlqime për blerje armësh nga persona fizikë, kryesisht për arsye të gjuetisë dhe rekreacionit”, thuhet në një deklarim të MPB-së.

E nga ministria pos tjerash kanë përmendur edhe raste të sekuestrimeve të lejeve të armove.

“Janë 4 raste të sekuestrimeve të lejeve të armëve. Nga këto raste, njëra prej tyre ka pasur revokimin e lejes, por më pas leja i është kthyer pronarit pasi është hequr revokimi.”, thuhet tutje në përgjigjen e MPB-së.

Në prezantimin e punës për nëntë mujorin e parë të këtij viti, gjegjësisht periudhën janar-shator, Policia jep po këto të dhëna për vepra penale dhe numrin e rasteve të periudhës së njëjtë kohore për vitin paraprak, 2023.

Në raport thuhet se numri i rasteve të trajtuara nga ky institucion i vendit ka pësuar një ulje të lehtë prej vetëm 1.23%.

Shprehur në numra në 2023 në këtë nëntëmujor gjithsej u shënuan nga 36263 raste, e 2024-ta u shënua me 35818 raste.

Po ashtu, më i ulët është edhe numri i veprave penale. Ky vit ka shënuar ulje nga: 20417 në 20311, në përqindje ulje për -0,52%.

Specifikisht në këtë rënie nuk hyjnë rastet e dhunës në familje e ato të gjobave në trafik.

E situata nuk tingëllon më e mirë, veçse është përkeqësuar.

Për rastin e parë kemi një rritje për rreth 4.4% në raport me këtë periudhë të vitit paraprak, e dukshëm më të lartë rritjen e shënuan gjobat e shqiptuara në trafikun e vendit me rreth 21.4%.

-Dhuna në familje, nga 1897, në 1981, rritje për 4.4%,

Numri i gjobave në trafik ka shënuar rritje nga 480310, në 583014, rritje për 21.4%, referuar shifrave të raportit nëntë mujor të Policisë.

25 vrasje ndodhën në vitin 2023, e në 14 ra ky numër në vitin 2024.

Ndonëse është skenari më i keq i mundshëm, një “dritë në fund të tunelit” është fakti që ky numër ka pësuar një rënie për diku 44%.

Pati vepra të shumta e përfshirje në raste të tilla që përfunduan me lëndime trupore.

Të dhënat e Policisë tregojnë që ndonëse më pak këto raste vazhdojnë të jenë prezente në shumicë.

-Lëndim i rëndë trupor, nga 167, në 163, rënie për -2.4,

-Lëndim i lehtë trupor, nga 2011, në 1996, rënie për -0.75%.

Vjedhjet, vjedhjet e rënda e grabitjet fatkeqësisht nuk munguan as këtë vit që lamë pas, e as atë paraprak.

-Vjedhjet kanë shënuar rënie nga 3134, në 2825, rënie për -9.9%,

– Vjedhjet e rënda kanë shënuar rënie nga 2082, në 1592, rënie për -23.5%,

-Grabitjet kanë shënuar rënie nga 65, në 57, rënie për -12.3%

U shënua ngritje në shkallën e zbulimit të përgjithshme të rasteve për 1.18 %.

Gjatë kësaj periudhe kohore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i urdhëresave të gjykatave të realizuar është rritur për 14.8%, ose nga 14170, në 16263.

Vetaksidentet, aksidentet e shumta përfshirë këtu edhe ato zingjirore nuk munguan pothuajse as edhe një ditë në titujt e lajmeve.

Ndonëse të njëjtat shënuan rënie, gjobitjet nuk patën të ndalur në trafik.

Duke filluar prej gjobitjeve me të holla, e heqje pikësh të lejes së vozitjes, duket që kjo ka shkuar ndonëse në masë të ulët, pozitivisht për pjesëmarrësit në trafik.

Statistikat sa i përket sigurisë në trafikun rrugor, statistikat janë si më poshtë:

-Numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie nga 17424, në 17005, rënie për -2.4%,

-Numri i aksidenteve me dëme materiale, ka shënuar rënie nga 10889, në 10795, rënie për -0.86%,

-Numri i aksidenteve me lëndime, ka shënuar rënie nga 6459, në 6145, rënie për -4.86%,

-Numri i aksidenteve me fatalitet, ka shënuar rënie nga 76, në 65, rënie për -14.5%.

Ndonëse situata shihet me një nuancë më pozitive, parandalimi i shkeljeve e veprave penale në Kosovë duket larg nga ajo se sa një vend mund të paraqesë siguri në sytë e qytetarëve të tij.

Pritet të shihet nëse ky vit do të vijë bashkë me dënime më të “ashpra” për kryerësit e veprave penale, dhe të shihet se nëse janë vërtet dënimet “e buta” të gjyqësorit ato që po krijojnë zonë komforte e atmosferë për kryerësit e veprave që të vazhdojnë me raste të tilla./Lajmi.net