Nagavci për mesazhin ‘karate’ të Bardiqit: Deklaratat individuale nuk përfaqësojnë grupin parlamentar të VV-së

Para fillimit të seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, deputetja e VV-së Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qëndrimet e grupit parlamentar merren në mënyrë kolektive dhe jo individuale. Ajo ka theksuar se nuk pajtohet me deklaratat personale të disa deputetëve, duke i cilësuar ato si qasje të gabuar, raporton lajmi.net “Nuk pajtohem me deklaratat…

Lajme

28/04/2026 11:06

Para fillimit të seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, deputetja e VV-së Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qëndrimet e grupit parlamentar merren në mënyrë kolektive dhe jo individuale.

Ajo ka theksuar se nuk pajtohet me deklaratat personale të disa deputetëve, duke i cilësuar ato si qasje të gabuar, raporton lajmi.net

“Nuk pajtohem me deklaratat individuale, është gabim një qasje e tillë. Ne si grup parlamentar i kemi qëndrimet që i marrim së bashku, asnjë deputet që kemi në grup parlamentar s’ka pasur ndonjë qëndrim të tillë. Ne kemi diskutuar gjerë e gjatë se gjuha e tillë nuk është e duhur dhe nuk i bën mirë asnjë deputeti”, tha Nagavci.

Kujtojmë se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, u kap “mat” nga kamerat duke shkruar se Presidenti do të zgjidhej me “karate”.

Në një sqarim që duket sa i habitshëm aq edhe i sforcuar, Bardiqi ka pretenduar se e gjithë biseda ishte nxjerrë nga konteksti dhe lidhej me një ftesë për ditëlindje.

“Kam qenë i ftuar para 2-3 jave në një ditëlindje dhe kam shkruar se nuk mund të vij… Përdorimi i shkurtesave në komunikime është një formë ku shpërqendrohesh, por për të mos u shpërqendruar në seancë. Ndoshta kam përdorur zhargon jo popullor, por privat. Konsideroj që është cenim i privatësisë”, deklaroi Bardiqi në Debat Plus./Lajmi.net/