Mustafa: LDK-së i është vështirësuar bashkëpunimi politik – partia fituese duhet ta zhbllokojë Kuvendin dhe të bëjë kompromis për Presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një periudhë të vështirë politike, jo vetëm për shkak të pozitës së saj në skenën institucionale, por edhe për shkak të zhvillimeve brenda vetë partisë. Pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, në disa degë të LDK-së u ngritën zëra për përgjegjësi politike dhe u kërkua edhe dorëheqja…

Lajme

11/08/2026 15:58

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një periudhë të vështirë politike, jo vetëm për shkak të pozitës së saj në skenën institucionale, por edhe për shkak të zhvillimeve brenda vetë partisë. Pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, në disa degë të LDK-së u ngritën zëra për përgjegjësi politike dhe u kërkua edhe dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Më pas, partia hyri në një proces të ri të zgjedhjeve të brendshme, ku Abdixhiku arriti që ta “siguroj” vendin e tij në LDK pasi s’pati mjafuteshëm vota të delegatëve që donin ta largonin.

E krejt kjo ndodhi kur në skenën politike po vazhdon ngërçi për konstituimin e institucioneve.

LDK si parti politike u pa më e afërt me Vetëvendosjen ku edhe zhvilluan disa takime të njëpasnjëshme, i pari i saj Lumir Abdixhiku dhe kreu i VV-së, Albin Kurti. Por krejt këto takime deri tani pa asnjë zgjidhje.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për krizën institucionale dhe dështimin e vazhdueshëm të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se përgjegjësinë kryesore për zhbllokimin e situatës e ka partia që ka fituar zgjedhjet.

Mustafa për Lajmi.net ka vlerësuar se partia fituese duhet të kërkojë kompromis edhe për çështjen e presidentit.

“Mendoj se partia e cila i ka fituar zgjedhjet e ka përgjegjësinë dhe rolin kryesor për të konstituuar Kuvendin dhe për të gjetë mundësi me kompromise për presidentin”, ka deklaruar Mustafa për lajmi.net

Ai e ka cilësuar si të pabazë dhe të pandershëm, siç është shprehur, fajësimin e opozitës për ngërçin institucional.

“Fajësimi i opozitës në këtë kontekst është i pabazë dhe i pandershëm, nëse do të kishte ndershmëri në politikë”, ka thënë ai.

I pyetur se me cilin subjekt politik do të duhej të bashkëpunonte LDK-ja për të dalë nga kjo situatë, Mustafa nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

“Sa i përket pyetjes tuaj se me kënd do të duhej të bashkëpunojë LDK, nuk kam përgjigje. Por, LDK-së i është vështirësuar bashkëpunimi politik”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka kritikuar edhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore ndaj LDK-së dhe përfaqësuesve të saj, duke e cilësuar atë si një përpjekje për ta dëmtuar politikisht partinë.

“Fushata e ulët, e paarsyeshme dhe pakuptimtë për njerëz të cilësuar si satelitë të PDK-së e tjerët të VV-së, për mua ka qenë sulm me qëllime paralizuese dhe denigruese për LDK-në”, ka thënë ish-kryeministri.

Ai ka mbrojtur rolin historik të LDK-së, duke thënë se një parti me kontribut në shtetformimin e Kosovës nuk duhet të etiketohet në këtë mënyrë.

“Është turp që një parti shtetformuese, si LDK dhe veprimtarët e saj, të etiketohen me epitete të tilla”, ka deklaruar Mustafa.

Kujtojmë se seanca konstituive e së shtunës pësoi një tjetër ndërprerje, pasi vetë Kurti kërkoi më shumë kohë për të paraqitur emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, duke argumentuar se ende nuk është arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Takimet dhe komunikimet e mia, në cilësinë e kryeministrit në detyrë dhe të kreut të subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje, me liderët e grupeve të tjera parlamentare kanë qenë të vazhdueshme. Megjithatë, një marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj, për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme, kërkoj afat shtesë”, ishte shprehur ai një ditë më parë.

Momenti i kërkesës për shtyrje u shoqërua me tensione në sallë, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, goditi me vezë kryetarin e VV-së. Përshkallëzimi i situatës bëri që kryesuesi Dehari të urdhëronte hyrjen e sigurimit të Kuvendit në sallë.

Zgjedhjet e 7 qershorit prodhuan këto rezultate: Lëvizja Vetëvendosje siguroi 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca 7 deputetë./Lajmi.net/