Ministria e Mbrojtjes sqaron: Përfaqësuesit e UÇK-së do të jenë pjesë e Këshillit për 28-vjetorin e Epopesë
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj pretendimeve se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke i cilësuar këto pretendime si të pasakta dhe të pabazuara. Sipas vendimit Nr. 01/02 të Qeverisë së Republikës së…
Lajme
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj pretendimeve se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke i cilësuar këto pretendime si të pasakta dhe të pabazuara.
Sipas vendimit Nr. 01/02 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 20 shkurt 2026, është themeluar Këshilli Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë, i cili kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkëkryesuar nga Andin Hoti, ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare. Në këtë vendim parashihet qartë përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë e përbërëse e këshillit.
Ministria bëri të ditur se sot është dërguar ftesë zyrtare për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të OVL UÇK, ndërsa takimi inicues i Këshillit do të mbahet nesër në ora 13:00.
Institucionet e Kosovës theksojnë se qëllimi është bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, në funksion të organizimit dinjitoz të shënimit të kësaj ngjarjeje me rëndësi kombëtare.
Shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të realizohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Lajmi.net/
Njoftimi i plotë:
𝐑𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦
Ministria e Mbrojtjes njofton opinionin publik se pretendimet se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të pasakta dhe të pabazuara.
Me Vendimin Nr. 01/02, datë 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i cili kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, bashkëkryesuar nga Andin Hoti, ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare. Në këtë vendim parashihet shprehimisht përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë përbërëse e këtij këshilli.
Gjithashtu, sot i është dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesit të OVL UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i Këshillit do të mbahet nesër në ora 13:00.
Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, në funksion të organizimit dhe shënimit dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë kombëtare.
Shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të realizohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
