Ministria e Financave arsyetohet për mos-ekzekutimin e shtesave për policë
Sindikata e Policisë së Kosovës deklaroi më herët gjatë ditës se disa zyrtarëve policorë nuk u janë ekzekutuar të hollat e fituara nga orët shtesë dhe ndërrimet e natës. “Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale.…

Lajme
Sindikata e Policisë së Kosovës deklaroi më herët gjatë ditës se disa zyrtarëve policorë nuk u janë ekzekutuar të hollat e fituara nga orët shtesë dhe ndërrimet e natës.
“Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje”, deklaroi Sindikata.
Lidhur me këtë, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thonë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
Në një deklaratë zyrtare, MFPT-ja pohon se Thesari vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale. Këta të fundit, sipas Ministrisë, kanë njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.
“U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompenzohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar”, thuhet në reagimin e Ministrisë.