Me marihuanë, kokainë dhe mbi 10 mijë euro në shtëpi, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.K., i dyshuar për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Sipas komunikatës së Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se më 12 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, është ndaluar nga Policia e Kosovës…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.K., i dyshuar për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se më 12 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, është ndaluar nga Policia e Kosovës teksa po lëvizte me një motoçikletë të tipit “Honda”.
Gjatë kontrollit, policia në çantën e tij kishte gjetur nëntë qese plastike me substancë narkotike me peshë 12.82 gram, si dhe 945 euro dhe 2 mijë lekë.
Pas arrestimit, autoritetet kanë kryer kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të pandehurit, ku janë sekuestruar 9 mijë e 990 euro, 10 franga zvicerane, disa qese najloni me substanca në formë bari dhe pluhuri, katër peshore digjitale, qese të zbrazëta najloni, gërshërë, një thikë dhe një lugë e vogël, të cilat, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.
Prokuroria ka bërë të ditur se, sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzik (AKF), analizat kanë konstatuar se substancat e sekuestruara përmbanin 187.41 gram marihuanë dhe 4.56 gram kokainë.
Me këto veprime, E.K. akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin për veprën penale që i vihet në barrë. /Lajmi.net/