Me letërreshtim të INTERPOL-it, ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i dyshuari për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është realizuar ekstradimi nga Zvicra në Kosovë i një shtetasi kosovar të kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”. Sipas komunikatës së Policisë, ekstradimi është realizuar sot nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet…

Lajme

04/08/2026 10:27

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është realizuar ekstradimi nga Zvicra në Kosovë i një shtetasi kosovar të kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Sipas komunikatës së Policisë, ekstradimi është realizuar sot nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia bën të ditur se ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Zvicrës.

“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës. I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë për vazhdim me procedurat e tjera ligjore”, thuhet më tej në komunikatë.

Policia e Kosovës ka theksuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë në shkëmbimin e informacioneve për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për gjurmimin, arrestimin dhe ekstradimin e personave të kërkuar. /Lajmi.net/