Rama – Tik Tok-ut: Në Shqipëri vendosin shqiptarët, nuk keni se çfarë sqarimesh kërkoni
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur “një vendim të këshilluar” nismën për të mbyllur për një vit rrjetin social TikTok në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetin X, duke iu përgjigjur kompanisë që e menaxhon rrjetin social, kreu i qeverisë sqaroi se vendimi erdhi për shkak të kërcënimeve serioze që platforma paraqet për…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur “një vendim të këshilluar” nismën për të mbyllur për një vit rrjetin social TikTok në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetin X, duke iu përgjigjur kompanisë që e menaxhon rrjetin social, kreu i qeverisë sqaroi se vendimi erdhi për shkak të kërcënimeve serioze që platforma paraqet për të rinjtë.
Në një reagim për mediet e huaja, TikTok-u kërkoi “qartësi urgjente nga qeveria shqiptare” për të provuar akuzat se platforma po i jepet zë dhunës, duke u nisur edhe nga pretendimi se rrjeti social mund të jetë bërë shkak për tragjedinë e një muaji më parë, që përfundoi me vrasjen e një 14-vjeçari nga bashkëmoshatari i tij.
“Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët, jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga TikToku, do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo platformë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.
Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë:
Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”, ka shkruar Rama.
🇦🇱Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në…
— Edi Rama (@ediramaal) December 22, 2024