Mbeturinat në Prishtinë- Prokuroria nis hetim për “ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos-grumbullimit të tyre. Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin…

Lajme

19/05/2025 16:05

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos-grumbullimit të tyre.

Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin me prioritet të çështjeve që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në kryeqytet, tash e një javë Kompania Regjionale e Pastrimit “Pastrimi”, ka bojkotuar veprimtarinë e tyre në mbledhjen e mbeturinave, kjo pasi sipas deklarimeve të tyre, Komuna e Prishtinës iu ka borxh 2.7 milionë euro.

Ky borxh, sipas tyre po i pamundëson veprimtarinë e tyre.

Këtë bojkotim, nga Komuna e Prishtinës dhe vetë kryetari i saj, Përparim Rama e kanë parë si inate politike me qëllim për të bërë antifushatë ndaj tyre. Ata kanë thënë se menjëherë kanë dal ne kryeqytet dhe kanë mbledhur mbeturinat me kompani private, por gjendja e mbeturinave në kryeqytet vazhdon të mbetet e tmerrshme.

Punëtorët e KRM “Pastrimit” sot kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.

Ata kanë mbajtur në duar pankarta ku shkruhet “Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, “Na lër të punojmë”.

Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet, Bekim Brestovci ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate në vlerë prej 1.5 milionë euro për punë shtesë.

Ai theksoi se nëse krijohen kushtet, “Pastrimi” do të marrë përsipër 1/3 e regjionit të Prishtinës, duke e shtuar kapacitetin operativ krahas dy operatorëve ekzistues.

Brestovci shtoi se Komuna është e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar subvencionimin e pagave për punëtorët.

“Jemi dakorduar që nga sot, me një person të autorizuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milionë euro për punën shtesë. Ne u dakorduam që, nëse krijohen kushtet nga ndërmarrja ‘Pastrimi’ dhe ata kanë mundësi të dalin e të operojnë për të kryer shërbimin, ta kenë 1/3 e regjionit të Prishtinës, sepse aktualisht kemi vetëm dy operatorë ekonomikë. Nga ana jonë nuk ka asnjë hezitim. Ne shprehëm gatishmërinë që të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për ta sjellë sërish vendimin për subvencionimin e pagave për punëtorët. Natyrisht, duhet të punojmë bashkërisht”, ka thënë Brestovci.

Në lidhje me situatën e krijuar me mbeturina në kryeqytet, ka reaguar edhe IKSHPK të cilët e kanë parë si alarm këtë situatë.

Nga IKSHPK kanë thënë se kjo situatë rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve. /Lajmi.net/