“Mbajini fëmijët larg përplasjeve!”, Ministria e Brendshme del me apel për prindërit pas protestave të dhunshme

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që t’i mbajnë fëmijët larg përplasjeve të dhunshme gjatë protestave në Tiranë, duke theksuar se jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë përparësi. Ruseti bëri të ditur se gjatë protestave të ditëve të fundit, 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor,…

Lajme

18/10/2026 12:19

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që t’i mbajnë fëmijët larg përplasjeve të dhunshme gjatë protestave në Tiranë, duke theksuar se jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë përparësi.

Ruseti bëri të ditur se gjatë protestave të ditëve të fundit, 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor, mes tyre 169 efektivë policie dhe 70 protestues e kalimtarë, ndërsa edhe të mitur janë paraqitur në spitale.

Ajo theksoi se e drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta, ndërsa standardet europiane kërkojnë që policia të përdorë forcën vetëm kur është e domosdoshme dhe në masën minimale të nevojshme.

“Veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm dhe as vendosjen e përgjegjësisë kolektive”, deklaroi Ruseti, duke kërkuar që çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës nga policia të shqyrtohet në mënyrë të paanshme.

Zv.ministrja u bëri thirrje gjithashtu organizatorëve, përfaqësuesve politikë dhe mediave të shmangin nxitjen e përplasjeve, duke nënvizuar se të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje politike.

“Fëmijët janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbrohen”, përfundoi Ruseti. (A2 Televizion)