“Kush qëndron më gjatë pa frymë”, drejtori i Arsimit në Kamenicë jep detaje për vetlëndimet e nxënësve të nxitura nga “TikTok-u”

Sfida e vetëlëndimit e nxitur nga disa video në “TikTok” ka prekur edhe nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulëta në Kosovë. Drejtori i Arsimit në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishi e ka konfirmuar këtë rast. Sipas tij kjo sfidë e vetëlëndimit nga nxënësit ka qenë një lloj gare se kush mund të qëndrojë…

Lajme

14/10/2024 14:38

Sfida e vetëlëndimit e nxitur nga disa video në “TikTok” ka prekur edhe nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulëta në Kosovë.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishi e ka konfirmuar këtë rast. Sipas tij kjo sfidë e vetëlëndimit nga nxënësit ka qenë një lloj gare se kush mund të qëndrojë pa frymë.

“Në shkollën ku ka ndodhur rasti, drejtoresha e shkollës në mënyrë emergjente ka ftuar prindërit për të komunikuar drejtpërdrejt, fëmijët e kanë pranuar, përmes të cilëve ata nuk e kanë parë që mund të lëndojnë vetën, por ka qenë një lloj gare se kush mund të qëndrojë pa frymë”, tha ai.

Tutje drejtori i arsimit në këtë komunë, thotë se pas marrjes së këtij lajmi për nxënësit mësimdhënësit kanë realizuar takime me prindërit për qëllim të bisedimit lidhur me këto aktivitete.

“Ne sapo kemi marrë lajmin për këtë ngjarje, kemi kërkuar nga gjithë drejtorët e shkollave të jenë të vëmendshëm, të komunikojnë me gjithë mësimdhënësit dhe ata me gjithë nxënësit dhe të bëjnë takime me prindërit, të flasin për këto aktivitete jo normale përmes së cilave fëmijët mund të lëndojnë vetën, kjo është që kemi kërkuar menjëherë”, potencon Dervishi për RTV21.

Dervishi i pyetur për prezencën e telefonit në klasë nga nxënësit, ai thotë se është në procedurë të tenderimit kutia për lënien e telefonave të nxënësve.

“Ky akt i fëmijëve ka ndodhur para mësimit, atëherë se prezenca e telefonit në klasë dhe në shkollë nuk e ndalon apo shtyej, sepse ata telefonin dhe lojën e kanë filluar sa kanë qenë në shtëpi. Mirëpo, aktin e kanë bërë bashkë para shkollës. Ne kemi marrë masa dhe jemi në proces të tenderimit të një kutie e cila do të jetë për t’i lënë telefonat e gjithë klasa”, thekson ai.

Ditë më parë pas raportimeve për këto raste ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, sot, më 10.10.2024, ministrja Nagavci u ka bërë thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.

“Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive. Bëj thirrje për të gjitha subjektet, prindër, mësimdhënës, psikologë, pedagogë, shërbime të tjera institucionale dhe të shoqërisë civile që të rrisim koordinimin më të mirë të ndërgjegjësimit të fëmijëve tanë dhe të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe shmangien e dhunës dhe dukurive të tjera negative”- ka deklaruar Nagavci.

Thirrje për kujdes me këtë rast ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo tha se monitorimi dhe udhëzimi i prindërve është i rëndësishëm për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që mund të fshihen në rrjetet sociale pas përmbajtjeve të papërshtatshme. “Platformat si “Tik-Tok”, mund të kenë ndikim negativ ne vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Le të punojmë së bashku për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë njohuri të bollshme për përdorim efikas dhe të nevojshëm të teknologjisë, me fokus avancimin e tyre”- është shprehur Haxhiu.