Kush është Dirk Schubel, ambasadori i ri i BE-së në Kosovë? Diplomati gjerman me mbi 30 vite përvojë
Bashkimi Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë. Ai pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 shtator, duke vazhduar angazhimin e Bashkimit Evropian në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Kosovës. Zyra e BE-së në Kosovë ka publikuar edhe biografinë e Schübelit, i cili ka një…
Lajme
Bashkimi Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë. Ai pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 shtator, duke vazhduar angazhimin e Bashkimit Evropian në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Zyra e BE-së në Kosovë ka publikuar edhe biografinë e Schübelit, i cili ka një karrierë mbi tri dekada në diplomacinë evropiane dhe gjermane.
Aktualisht, Schubel është Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS). Nga shtatori i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2024, ai ka shërbyer si i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për Partneritetin Lindor.
Më herët, ai ka drejtuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Bjellorusi, ku ka shërbyer si ambasador nga viti 2019 deri më 2022. Ndërsa nga viti 2018 deri në vitin 2019, ka udhëhequr Divizionin për Rusinë në EEAS.
Gjatë periudhës 2013-2018, Schübel ka qenë përgjegjës për Divizionin për Marrëdhëniet Dypalëshe të Partneritetit Lindor, ku është marrë me raportet e BE-së me Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë.
Nga viti 2009 deri në vitin 2013, ai ka shërbyer si ambasador dhe shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Moldavisë, ndërsa më herët ka pasur poste diplomatike në Ukrainë.
Karrierën në institucionet evropiane dhe në diplomacinë gjermane e ka nisur që nga viti 1993, duke punuar në fusha si energjia, transporti, zgjerimi i BE-së dhe tregtia.
Emërimi i Schübelit në Kosovë vjen me një përvojë të gjerë në Evropën Lindore dhe në proceset diplomatike të Bashkimit Evropian, ndërsa pritet që ai të luajë rol të rëndësishëm në raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Dirk Schübel është i martuar dhe ka një vajzë. /Lajmi.net/