Kurti: Votimi për Emilja Rexhepin nuk mund të anulohet, karrigia për nënkryetarin serb është i zbrazët – Kosova nuk ka kohë për të humbur
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot është deklaruar shkurt për media në lidhje me moskonstiumin e Kuvendit të Kosovës, edhe pas 3 aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës është humbje kohe dhe dëm. “Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët, Albulena…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot është deklaruar shkurt për media në lidhje me moskonstiumin e Kuvendit të Kosovës, edhe pas 3 aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës është humbje kohe dhe dëm.
“Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët, Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb. Është dashur që të vazhdojë puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se votimi për Emilja Rexhepin nuk mundet të anulohet pasi që ajo është nënkryetare e Kuvendit.
“Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori vetëm 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, tha ai.