Kurti propozon rishikimin urgjent të rasteve me rrezik të lartë: Brenda 72 orëve të dokumentohen masat e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Gjatë fjalimit në Kuvend, Kurti ka theksuar se asnjë ndjenjë nuk mund të përdoret si arsyetim për dhunën dhe se askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë tjetrit mundësinë për t’i…

Lajme

26/10/2026 18:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Gjatë fjalimit në Kuvend, Kurti ka theksuar se asnjë ndjenjë nuk mund të përdoret si arsyetim për dhunën dhe se askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë tjetrit mundësinë për t’i dhënë fund një marrëdhënieje.

“As zhgënjimi, as xhelozia dhe as ndjenja e refuzimit nuk e bëjnë legjitime përpjekjen për ta detyruar të qëndrojë. Askush nuk mund ta kërkojë vazhdimin e një marrëdhënieje, duke ia mohuar tjetrit të drejtën për të dalë prej saj. Dhuna e vendos pikërisht këtë detyrim, që gruaja ta organizojë jetën sipas frikës nga dhunuesi”, u shpreh Kurti.

Kryeministri ka propozuar dy ndërhyrje konkrete, duke kërkuar që institucionet të veprojnë brenda një afati prej 72 orësh.

“Propozoj dy ndërhyrje konkrete, të ngarkojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale, përfshirë zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike”, deklaroi ai.

Po ashtu, Kurti ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një raport të detajuar për veprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt.

“Gjithashtu, brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zinxhirit institucional në këtë rast”, u shpreh Kurti. /Lajmi.net/