“Ku humbën mbi 60 mijë vota?” – Rënia e votave të Lumir Abdixhikut krahasohet me stabilitetin ngritjen e Bajramit e votën stabile të Hotit
Dallimet në rezultatet e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërmjet zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre të 28 dhjetorit 2025 kanë nxitur diskutime dhe reagime në rrjetet sociale, veçanërisht për rënien e madhe të votave të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, në krahasim me disa figura të tjera të partisë që kanë ruajtur…
Lajme
Dallimet në rezultatet e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërmjet zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre të 28 dhjetorit 2025 kanë nxitur diskutime dhe reagime në rrjetet sociale, veçanërisht për rënien e madhe të votave të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, në krahasim me disa figura të tjera të partisë që kanë ruajtur pothuajse të njëjtin elektorat.
Sipas rezultateve dhe krahasimeve të bëra në publik, Abdixhiku nga rreth 146 mijë vota në zgjedhjet e shkurtit kishte rënë në rreth 88 mijë vota në zgjedhjet e dhjetorit, një diferencë prej afro 60 mijë votash. Në anën tjetër, figura si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti kanë ruajtur pothuajse të njëjtin numër votash, madje në rastin e Bajramit është përmendur edhe një rritje, shkruan lajmi.net.
Hykmete Bajrami kishte marrë mbi 52 mijë vota, duke mbetur ndër figurat më të votuara të LDK-së, ndërsa Avdullah Hoti kishte ruajtur një elektorat relativisht stabil. Po ashtu, është diskutuar edhe rënia e votave për Doarsa Kica-Xhelili dhe disa emra të tjerë të partisë.
Debatet për këto rezultate janë shtuar edhe më shumë për shkak të zhvillimeve të fundit brenda LDK-së dhe raportimeve për mospajtime mes Abdixhikut dhe figurave si Bajrami e Hoti. Situata ka marrë vëmendje sidomos pas përfshirjes së Vjosa Osmani në listën zgjedhore të LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Po ashtu, është komentuar edhe renditja e kandidatëve në listën zgjedhore, ku Hykmete Bajrami nga numri 3 në zgjedhjet e fundit është renditur me numrin 12, ndërsa Avdullah Hoti nga numri 6 ka kaluar në numrin 11.
Rënia e përgjithshme e LDK-së në zgjedhjet e dhjetorit është reflektuar edhe në rezultatet e partisë, e cila sipas rezultateve preliminare kishte humbur rreth 52 mijë vota dhe pesë ulëse në Kuvend krahasuar me zgjedhjet paraprake. /Lajmi.net/