Kthimi nga Xhamia e Llapit, Komuna e Prishtinës kundërshton kompanitë e autobusëve të Podujevës: S’do të lejohet

Komuna e Prishtinës ka lëshuar një deklaratë pasi kompanitë e autobusëve Prishtinë- Podujevë lajmëruan që kthimi do të bëhet nga xhamia e Llapit. Komuna thotë se marrëveshja e arritur mes tyre dhe kompanive të autobusëve nuk ka qenë e njëanshme. Sipas tyre është shkelje e qartë e rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë. “Kjo marrëveshje…

Lajme

17/08/2025 13:42

Komuna e Prishtinës ka lëshuar një deklaratë pasi kompanitë e autobusëve Prishtinë- Podujevë lajmëruan që kthimi do të bëhet nga xhamia e Llapit.

Komuna thotë se marrëveshja e arritur mes tyre dhe kompanive të autobusëve nuk ka qenë e njëanshme.

Sipas tyre është shkelje e qartë e rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë.

“Kjo marrëveshje nuk ka qenë njëanshme, por është arritur si rezultat i një procesi të gjerë shumëpalësh, ku kanë qenë të përfshira: Komuna e Prishtinës, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit. Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë.”

Komuna tutje thotë se veprime të tilla nuk do të lejohen dhe se do të ndërmarrin masa ligjore dhe administrative.

Komuna shton se MPMH duhet të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila sipas komunës është dhe mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës

“Theksojmë se veprime të tilla nuk do të lejohen. Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve. Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike. Në këtë drejtim, theksojmë se MPMH duhet të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila është dhe mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës. Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën për operim. Gjithashtu, rikujtojmë se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët, gjë që e bën edhe më të rëndësishëm respektimin e rregullave ekzistuese dhe marrëveshjes së përkohshme në fuqi. I bëjmë thirrje të gjithë operatorëve të transportit që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive. Komuna e Prishtinës mbetet e hapur për dialog, por do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik.”