KQZ po pret vendimin e Supremes për certifikimin e rezultateve pas gati dy muajsh – formimi i Qeverisë ende larg për t’u bërë
Po thuajse dy muaj më parë, qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan të udhëheq Republikën e Kosovës në katër vitet e ardhshme. Ndonëse procesi i votimit ka shkuar mirë, qetë dhe pa ndonjë incident, procesi i numërimit të votave nuk ka qenë i tillë. Sharje, konflikte…

Lajme
Po thuajse dy muaj më parë, qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan të udhëheq Republikën e Kosovës në katër vitet e ardhshme.
Ndonëse procesi i votimit ka shkuar mirë, qetë dhe pa ndonjë incident, procesi i numërimit të votave nuk ka qenë i tillë.
Sharje, konflikte për vota e shumëçka tjetër është parë në Qendrat e Numërimeve dhe Rezultateve, ku vëzhgues nga parti të ndryshme kanë pasur konflikte të ndryshme me njëri-tjetrin.
Edhe pse zgjati shumë, më 5 mars ka përfunduar plotësisht procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e të fundit që u numëruan ishin ato me kusht dhe me postë.
Pas 5 marsit, disa vota janë rinumëruar si shkak i ankesave që ishin proceduar nga kandidatë për deputetë e parti politike të cilat kanë dyshuar në manipulimin e votave, por pasi edhe kjo përfundoi më 15 mars, zyrtarisht KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Nga ky rezultat, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli se kishte marrë mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.
Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Një javë pas, ende nuk është bërë certifikimi i këtyre rezultateve, shkruan lajmi.net.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për lajmi.net se aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka thënë Elezi.
Me “institucionet përkatëse”, Elezi i është referuar Gjykatës Supreme, e cila ka afat pesë ditë për të shqyrtuar ankesat e subjekteve politike, ndërsa sot ata janë në ditën e tretë.
Vonesa në certifikimin e rezultateve ka sjell vonesë edhe në formimin e Qeverisë.
Kryeministri aktual, Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së është zotuar se do ta formojë ekzekutivin e ri, por pa treguar saktë se si.
Ai pati thënë se për ta formuar këtë ekzekutiv, presin certifikimin e rezultateve, shkruan lajmi.net.
“Së pari ne presim certifikimin e rezultateve, e më pas do të shohim rrugën përpara, por nuk ka ndryshuar situata, që ne të kemi qëndrime të tjera, sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë tonë, dhe kundër VV-së, por ne kemi fituar dhe fitimtari duhet e do ta bëjë qeverinë”, pati thënë Kurti gjatë vënies së gurthemelit të një çerdhe tek “Livadhet e Arapit” në Gjilan.
Njëjtë si ai, deklaroi sot edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Në lidhje me këtë çështje po besoj vlen ajo çfarë ka thënë kryeministri. Pra që fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe mund të flasim për formimin e qeverisë”, ka thënë Murati.
Partitë opozitare, duhet të presin partinë fituese që të formoj Qeverinë, dhe nëse kjo nuk arrihet do të jetë radha e tyre që të arrijnë një marrëveshje- nëse veç kanë interes ta bëjnë këtë, shkruan lajmi.net.
PDK, LDK dhe AAK kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni me LVV-në, ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përjashtuar gjithashtu edhe mundësinë e formimit të një koalicioni ku ai nuk është kryeministër.
Kësisoj në rast të mos arritjes së asnjë formimi qeverisës- ekziston mundësia që vendi të shkojë drejt një “bllokade” institucionale.
Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, brenda 30 ditëve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.
Por, nëse Kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.
Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.
Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.
Kësisoj mbetet të shihet nëse edhe pak vendimeve të Supremes dhe certifikimi të rezultateve partia fituese që është Vetëvendosje do të ketë përgjigjen e formimit të qeverisë apo do të mbetet ende në pritje të ndonjë “bashkëpunimi” partiak./Lajmi.net/