Kosova pjesë në ushtrimin rajonal “FloodNorthAlb”, përfaqësohet nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent
Kosova është bërë pjesë në ushtrimin rajonal `FloodNorthAlb` që po mbahet në Shkodër. Republika e Kosovës përfaqësohet në këtë ushtrim nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, me ekipin operacional të Kërkim-Shpëtimit në Ujëra Sipërfaqësore, i përbërë nga 17 pjesëtarë të trajnuar dhe të pajisur për intervenim në situata emergjente të përmbytjeve. “Ky ushtrim i rëndësishëm rajonal…

Lajme
Kosova është bërë pjesë në ushtrimin rajonal `FloodNorthAlb` që po mbahet në Shkodër.
Republika e Kosovës përfaqësohet në këtë ushtrim nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, me ekipin operacional të Kërkim-Shpëtimit në Ujëra Sipërfaqësore, i përbërë nga 17 pjesëtarë të trajnuar dhe të pajisur për intervenim në situata emergjente të përmbytjeve.
“Ky ushtrim i rëndësishëm rajonal organizohet në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore për ndihmë reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, dhe është i mbështetur nga Komisioni Evropian”, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent.
Ushtrimi “FloodNorthAlb” synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet agjencive të mbrojtjes civile në rastet e përmbytjeve, përmes simulimeve reale të situatave emergjente dhe aktivizimit të ekipeve operacionale në terren.
Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, në ushtrim po marrin pjesë edhe agjencitë e mbrojtjes civile nga Greqia, Qipro, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Gjithashtu, disa shtete të tjera nga rajoni dhe Evropa po marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesve.
Ushtrimi po përcillet nga afër nga drejtuesit e agjencive homologe dhe zyrtarë të lartë nga shtetet pjesëmarrëse. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, z. Genc Metaj, ka vlerësuar lart angazhimin profesional të pjesëtarëve të ekipit të Kosovës, si dhe ka theksuar rëndësinë strategjike të pjesëmarrjes së Kosovës në këto ushtrime për rritjen e kapaciteteve operacionale dhe shkëmbimin e përvojave me vendet partnere.
“Pjesëmarrja në “FloodNorthAlb” është dëshmi e përkushtimit të Republikës së Kosovës për të qenë pjesë aktive dhe kontribuuese në mekanizmat rajonalë dhe evropianë të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore”, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent.