Konjufca pas takimit me homologun belg: Presim që shpejt të ndodhë anëtarësimi në KE

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim homologun e tij belg, Maxime Prevot. Pas takimit, Konjufca dhe Prevot kanë mbajtur konferencë për media. Konjufca para mediave ka thënë se vizita e tyre dhe rrjedha e takimit janë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme…

Lajme

16/04/2026 15:56

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim homologun e tij belg, Maxime Prevot.

Pas takimit, Konjufca dhe Prevot kanë mbajtur konferencë për media.

Konjufca para mediave ka thënë se vizita e tyre dhe rrjedha e takimit janë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme të Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, si dhe e vullnetit të përbashkët për t’i thelluar këto marrëdhënie akoma më tej.

“I dashuri zëvendëskryeministër, miku i Kosovës më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për mbështetjen që i ka dhënë Belgjika Republikës së Kosovës ndër vite. Që nga qëndrimi parimor në mbështetje të intervenimit të NATO-s në vitin 1999 e deri te njohja e Pavarësisë sonë, vetëm pak ditë pas shpalljes së saj nga ana e Belgjikës e pastaj përkrahja e vazhdueshme e Kosovës për integrim në BE por edhe për anëtarësimin tonë në organizata ndërkombëtare janë mbështetje e Belgjikës që ka qenë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe si e tillë vlerësohet edhe nga populli edhe nga institucionet”, ka thënë Konjufca.

Ai është shprehur mirënjohës për rolin që Belgjika ka luajtur për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe stafit diplomatik të MPJD-së.

“Si një nga vendet e para që ka ofruar mbështetje konkrete përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve të ekspertizës, Belgjika ka kontribuar drejtpërdrejt për po ashtu formësimin institucional të brezit tonë të diplomatëve që e përfaqësojnë Kosovën në 53 misione në të gjitha anët e botës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik në të gjitha fushat.

“Në politikë të jashtme, Belgjika është nga partnerët më të rëndësishëm brenda BE-së dhe në këtë frymë ia shpreha vlerësimin tim më të lartë për mbështetjen e tyre gjatë procesit për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, që ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara në aspriatat tona evropiane.  Në të njëjtën kohë, e theksova pritjet që i ka Kosova sa i përket proceseve integruese e në radhë të parë marrjes së pyetësorit nga ana e BE-së e cila është një çështje që po pret e po bëhen 3 vite e gjysmë prej kur kjo çështje nuk po trajtohet nga  Brukseli dhe BE.  Mbështetja që BE ka dhënë në procesin integrues të Kosovës ka qenë shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe presim që kjo mbështetje të vazhdoj edhe në fazat e ardhshme të rrugës tonë drejt Këshillit të Evropës, ku presim që anëtarësimi të ndodh shpejtë por edhe në qartësimin e rrugës sonë drejt BE-së”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se Belgjika në siguri dhe mbrojtje ka qenë partnere e rëndësishme e Kosovës gjatë gjithë momenteve kyçe të historisë së Kosovës.

“Me angazhimin e vazhdueshëm përmes KFOR-it, ata kanë kontribuar edhe për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë. Tash ky bashkëpunim po hyn në një fazë më të avancuar dhe po i shpreh falenderimin në emër të Ministrisë së Jashtme që në ministrinë e tij tash së fundi u akreditua edhe atasheu ushtarak i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës. Po ashtu, desha ta falenderoj për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e cila u qartësua gjatë 2025-të ssi dhe për intensifikimin e kontakteve në nivel ministror. Ministritë tona e kanë te etabluar edhe diskutimin politik, i mbajnë konsultimet politike që mbahen mes Ministrive tona përgjatë viteve të kaluara dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Konjufca e ka konfirmuar përkushtimin e tij dhe MPJD-së për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Belgjikën dhe bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. /Lajmi.net/