Komuna e Prishtinës: Projekti “Xhorxh Bush” nuk cenon asnjë objekt, as ato të trashëgimisë kulturore

Drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, dhe drejtori i Planifikimit, Arber Sadiki, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. Drejtori i Planifikimit, Arber Sadiki, ka theksuar se projekti nuk dëmton trashëgiminë kulturore, por përkundrazi i kontribuon asaj.…

Lajme

12/03/2025 19:11

Drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, dhe drejtori i Planifikimit, Arber Sadiki, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

Drejtori i Planifikimit, Arber Sadiki, ka theksuar se projekti nuk dëmton trashëgiminë kulturore, por përkundrazi i kontribuon asaj.

“Projektet në fjalë nuk dëmtojnë asetet e trashëgimisë kulturore, ato përkundrazi i kontribuojnë asaj, sikurse në të gjitha agjendat botërore moderne. Nuk e di se çfarë kuadri mund të cenohet. Nuk e kemi problem dhe nuk jemi këtu për ta kundërshtuar asnjë institucion. E dimë se ajo që po bëjmë nuk cenon asgjë në trashëgiminë kulturore”, ka deklaruar Sadiki.

Ndërsa, drejtori i Transformimit, Gëzim Kastrati, e ka cilësuar vendimin e Inspektoratit si të padrejtë dhe të bazuar në standarde të dyfishta.

“Inspektorati po punon me standarde të dyfishta. Projekti ‘Xhorxh Bush’ nuk i cenon as objektet as ato të trashëgimisë, përkundrazi i çel ato. Patjetër që do marrim leje. Projekti i ka shtatë faza, faza e parë nuk ka nevojë për leje sepse jemi duke intervenuar në infrastrukturë nëntokësore. Fazat tjera, që punimet vazhdojnë, sepse urbanizmi ka lëshuar pëlqim, ne ende nuk kemi hyrë ende te trashëgimia kulturore. Këto kanë karakter tendencioz”, ka deklaruar Kastrati.

Zyrtarët komunalë theksuan se projekti do të vazhdojë sipas planifikimit, duke siguruar që të gjitha procedurat ligjore të respektohen.