Komisionerja Kos: Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, zhvillim historik
Pak përpara largimit nga Tirana, Marta Kos, Komisionerja për zgjerimin në Komisionin Evropian, vlerëson hapat e Shqipërisë drejt BE-s me çeljen e disa grup-kapitujve. “Shqipëria po ecën shumë mirë”, vlerëson ajo. Edhe Tirana, thotë komisionerja, është përfituese nga fondi një miliard euro i Planit të Rritjes së BE-së dhe se me këto para do të…

Lajme
Pak përpara largimit nga Tirana, Marta Kos, Komisionerja për zgjerimin në Komisionin Evropian, vlerëson hapat e Shqipërisë drejt BE-s me çeljen e disa grup-kapitujve.
“Shqipëria po ecën shumë mirë”, vlerëson ajo. Edhe Tirana, thotë komisionerja, është përfituese nga fondi një miliard euro i Planit të Rritjes së BE-së dhe se me këto para do të inkurajohet zbatimi i reformave të nevojshme.
Zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik të luftës në Ukrainë, ajo e komenton si një zhvillim historik për ta bërë Evropën më të fortë.
“Zgjerimi sot është krejtësisht në një mjedis të ndryshëm nga ai që ishte pesë vjet më parë. Pra, gjeopolitika na ka bërë që kur flasim për zgjerimin, duhet të shohim tablonë e madhe dhe tabloja e madhe është se zgjerimi në të vërtetë është bashkimi i Evropës. Kjo do të thotë që ta bëjmë Evropën jo vetëm më të madhe, por edhe më të fortë dhe ky zgjerim është prioriteti i Komisionit aktual. Është gjithashtu shumë në favor të shteteve anëtare, ndaj mendoj se kjo është mundësia historike që duhet ta shfrytëzojmë”, deklaroi Kos në një intervistë për TopChannel.
Ajo tha se në të kaluarën është përdorur zgjerimi për të sjellë vendet që në fakt mund të kontribuojnë për paqen, lirinë, prosperitetin dhe stabilitetin në Evropë.
Në atë kohë, thotë Kos, ishte e pamundur për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë dhe nuk ishte e mundur as për Shqipërinë, “por tani është”.
“Jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por ju përmendët edhe Ukrainën dhe Moldavinë, dhe mendoj se kjo është vërtet ajo çka kemi sot, mundësia historike për ta bërë Evropën më të fortë, për ta bërë Evropën jo vetëm më të fortë në kuptimin që të kemi ekonomi më të fortë, por edhe sa i përket vlerave dhe demokracisë”, deklaroi komisionerja Kos.
Ajo më tej tha se Shqipëria po ecën shumë mirë drejt integrimit në BE, jo vetëm sa i përket Planit të Rritjes.
“Në Bruksel, rreth 1.000 persona po punojnë që vendi juaj të mund të bëhet anëtar i BE-së dhe kjo është diçka e madhe, jo vetëm në shërbimet e mia, që do të thotë se Shqipëria po kryen reformat dhe kërkesat tona në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Dhe ju e dini se pas ditës së sotme unë mund të shoh që kjo nuk është vetëm ajo çka po bën qeveria, por ky është vërtet një orientim pro-evropian që unë e ndiej në çdo hap të vizitës sime”.
Komisionerja Marta Kos tha se mbyllja e të gjithë kapitujve për anëtarësim në BE nga ana e Shqipërisë “varet shumë nga ju, nga qeveria juaj, nga parlamenti juaj”.
“Deri tani keni arritur shumë, kështu që nuk kam dyshim se do të arrini edhe më shumë, por ky është një proces, ju e dini. Do të më pëlqente të thosha: ‘Ju premtoj’, por nuk mundem. Por mund t’ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në dorën time dhe do të punoj natë e ditë që të mund ta përfundojmë procesin e negociatave. Dhe sot, kur fola me politikanë të ndryshëm, me shoqërinë civile, të gjithë më thanë se do të punojnë. Ndonjëherë – nga përvoja ime, meqë vij nga Sllovenia, dhe vendi im u bë anëtar i BE-së në vitin 2004 – reformat nuk janë të lehta, ju e dini”.
“Kur them që do të përfundojmë negociatat, kjo nuk do të thotë se në këtë moment Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së, pasi kur të mbarojmë negociatat, atëherë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të vendosin – dhe procedurat janë të ndryshme në shtete të ndryshme – do të vendosin se kur do të bëhet e mundur kjo”, potencoi zyrtarja e BE-së.