KOMF: Mungesa e mbështetjes institucionale rëndon familjet e fëmijëve me autizëm
Mungesa e shërbimeve cilësore dhe të qasshme në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale, vazhdon të jetë një pengesë e madhe për fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Kështu e vlerëson Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit. KOMF thekson se për të siguruar shërbime…
Lajme
Mungesa e shërbimeve cilësore dhe të qasshme në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale, vazhdon të jetë një pengesë e madhe për fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Kështu e vlerëson Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit.
KOMF thekson se për të siguruar shërbime pa pagesë, organizatat joqeveritare mbajnë barrën kryesore, për shkak të mungesës së një sistemi publik të qëndrueshëm dhe financimit institucional të pamjaftueshëm.
Po ashtu, përfshirja e fëmijëve me autizëm në arsimin formal dhe parashkollor vazhdon të jetë sfiduese, për shkak të mungesës së asistencës dhe stafit të specializuar, konsideron KOMF.
“Ky fakt rëndon edhe situatën ekonomike dhe psikologjike të familjeve, ku shpesh një prind detyrohet të përkujdeset 24 orë për fëmijën”.
“Prindërit, përveç sfidave të përditshme, përballen edhe me rëndim të gjendjes së tyre ekonomike, pasi shpesh detyrohen të paguajnë vetë për sigurimin e asistentëve për fëmijët e tyre. Kjo situatë është edhe më e theksuar në nivelin parashkollor, ku mungesa e asistentëve në kopshte cenon drejtpërdrejt bazat e ndërhyrjes së hershme. Prindërit e fëmijëve me autizëm përballen me nivele të larta stresi, për shkak të sfidave të përditshme në kujdes, edukim dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme për fëmijët e tyre. Ky stres lidhet edhe me barrën financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale”, konsideron KOMF.
KOMF rikujton nevojën për miratimin e Projektligjit për të Drejtat dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili është iniciuar që në vitin 2016, por ende nuk është aprovuar. Ky ligj do të sigurojë një qasje moderne dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët me autizëm dhe personat me aftësi të kufizuara.
Rekomandimet e KOMF-it për institucionet përfshijnë: Përmirësimin e identifikimit dhe ndërhyrjes së hershme; Sigurimin e shërbimeve të specializuara; Rritjen e financimit për organizatat joqeveritare; Përfshirjen e fëmijëve në arsim cilësor me staf të specializuar dhe asistentë dhe; Ofrimin e mbështetjes për prindërit dhe familjet.
KOMF bën thirrje për veprim konkret nga qeveria, komunat, profesionistët dhe shoqëria, për të garantuar që fëmijët në spektrin e autizmit të kenë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre.
“KOMF bën thirrje për veprim konkret nga të gjitha palët, institucionet, profesionistët dhe shoqëria në tërësi, për të garantuar që fëmijët në spektrin e autizmit të kenë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre”, thuhet në njoftim.