KFOR po i ndjek nga afër deklaratat për formimin e Xhandarmërisë në Kosovë: Presim që institucionet e sigurisë të bashkëpunojnë me ne

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës. Ky paralajmërim i Sveçlës erdhi një ditë pasi kryeministri në detyrë, shefi i tij, Albin Kurti e tha këtë në një intervistë televizive. E duke mos pritur gjatë, Sveçla të nesërmen veçse…

Lajme

21/05/2026 15:42

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

Ky paralajmërim i Sveçlës erdhi një ditë pasi kryeministri në detyrë, shefi i tij, Albin Kurti e tha këtë në një intervistë televizive.

E duke mos pritur gjatë, Sveçla të nesërmen veçse shkroi në rrjetet sociale se ka nënshkruar themelimin e grupit punues, që sipas tij, do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteteve për funksionimin e Xhandarmërisë, si Agjencion i MPB-së.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Sveçlës, krijimi i Xhandarmërisë do të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve “që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.

Por në lidhje me krijimin e Xhandarmërisë në Kosovë, për lajmi.net kanë folur nga KFOR-i.

Nga KFOR-i u tha se po i ndjekin nga afër deklaratat e vazhdueshme nga institucionet në Kosovë në lidhje me këtë temë, ndërsa për detaje kanë thënë se u takon institucioneve në Kosovë të japin.

“NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e vet për siguri të qëndrueshme në Kosovë, në dobi të të gjithëve. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i siguron një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile, përmes ngritjes së kapaciteteve, arsimit dhe koordinimit të trajnimeve”, kanë thënë nga KFOR-i për lajmi.net.

Gjithashtu u tha se presin nga organizatat e sigurisë në Kosovë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të koordinohen me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

E për themelimin e Xhandarmërisë, fillimisht ka folur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Pasi fillimisht e përfoli si ide, dje u rezervua të jepte detaje pasi i pranishëm nuk ishte edhe Sveçla. Ai tha se Xhandarmëria parashihet të jetë mes policisë e ushtrisë.

“Sa i përket koncept-dokumentit dhe grupit punues dhe hollësive për Xhandarmërinë do t’iu njoftojmë shumë shpejtë bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme. Ka kohë që ne e kemi menduar këtë gjë sepse një aspekt tjetër i sigurisë së Kosovës ka të bëj me një zonë e cila është më shumë se Policia e më pak se Ushtria, prej ruajtjes së kufirit, te luftimi i terrorizmit, te mbyllja e çfarë do shtegu të kontrabandës e deri te mbrojtja e infrastrukturës jetike. Të gjitha detajet lidhur me këtë idetë tonë që tani po bëhet edhe koncept-dokument do t’i trajtojmë me ministrin e Punëve të Brendshme”, ka thënë Kurti.

Xhandarmëria është një forcë e sigurisë me karakter ushtarak që kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.

Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

Xhandarmëri kanë edhe shtete të tjera, sikurse Franca, shtet anëtar i NATO-s. Zakonisht xhandarmëria merret me sigurinë e kufijve dhe luftimin e terrorizmit.

Shembull, Xhandarmëria e Francës është forcë ushtarake që ka për detyrë sundimin e ligjit, ka juridiksion të plotë mbi popullatën civile dhe është përgjegjëse për sigurinë publike, rendit publik dhe ndërvepron me forcat policore dhe ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ajo luan rol në menaxhimin e krizave dhe merr pjesë edhe në misione paqësore jashtë vendit, por edhe në operacione luftarake.

Në NATO, forcat e llojit të xhandarmërisë përmenden në kuadër të asaj që njihet si policia për stabilitet./Lajmi.net/